“Ngërçi në Këshillin e Mandateve për Ballukun ka urdhër politik”, Gjoni: Kanë frikë se dëshmitarët mund të flasin, ja ndryshimi që kanë bërë

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe të drejtësisë, duke u ndalur te bllokimi i Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK.

Sipas Gjonit, mënyra se si po vepron Komisioni i Mandateve nuk është e rastësishme, por vjen si pasojë e një urdhri politik. Ai deklaroi se, nga materialet hetimore të përfolura, përfshirë mesazhe, e-maile dhe SMS, rezulton se “më shumë komunikime ka kryeministri Rama sesa Balluku”, duke shtuar se, sipas tij, zhvillimet po shkojnë drejt figurës së kryeministrit. “Nga mënyra si Rama po përpiqet të mbrojë Ballukun, në fakt ai po mbron veten”, u shpreh deputeti demokrat.

Gjoni kritikoi gjithashtu ndryshimet e fundit në Kodin Penal, duke theksuar se është shfuqizuar neni 28, pika 7, që lidhej me bashkëpunëtorët dhe të penduarit e drejtësisë. Sipas tij, ky ndryshim është bërë qëllimisht, për të frenuar dëshmitarët e mundshëm që mund të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për të zbuluar skema korrupsioni. “E kanë hequr këtë element sepse kanë frikë se dëshmitarët mund të flasin”, tha Gjoni.

Deputeti i PD-së shtoi se në çështjen e Belinda Ballukut përflitet për veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa bëri paralelizma edhe me skandalin e AKSHI-t, institucion që, sipas tij, është në varësi të kryeministrit. Ai theksoi se heqja e mundësisë për bashkëpunim me drejtësinë u mohon dëshmitarëve një instrument ligjor të rëndësishëm dhe dëmton seriozisht hetimet.

Në përfundim, Gjoni akuzoi mazhorancën se po ndërhyn drejtpërdrejt në legjislacion për të minuar reformën në drejtësi. “Këta po zhbëjnë reformën në drejtësi duke futur duart në Kodin Penal”, deklaroi ai, duke e cilësuar situatën aktuale si një hap pas në luftën kundër korrupsionit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×