Nga ish-drejtoresha e AKM tek drejtuesit e “Kurum”, prokuroria kërkon masa sigurie për dhjetëra persona në çështjen e mbetjeve toksike

Detaje të reja dalin në dritë nga operacioni i përbashkët i Policisë së Durrësit dhe Tiranës për zbatimin e masave të sigurisë në lidhje me çështjen e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, ku fokusi i hetimeve është zhvendosur edhe te roli i zyrtarëve shtetërorë.

Sipas burimeve, në kuadër të këtij procedimi penal janë firmosur gjithsej 33 masa sigurie, të cilat përfshijnë jo vetëm drejtues dhe përfaqësues të kompanisë “Kurum”, por edhe funksionarë të institucioneve publike, konkretisht të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe Doganave.

Sipas Prokurorisë së Durrësit, hetimi për kontabandën e mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës zbuloi shkelje masive të legjislacionit mjedisor nga kompanitë “Kurum International” dhe “Sokolaj” si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Dogana e Durrësit dhe kompania koncesionare e terminalit lindor në portin e Durrësit.

Nga 33 masat e dhëna, 26 janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”. Mes personave ndaj të cilëve është caktuar masa e “arrestit shtëpiak” është edhe Arta Dollani, ish-drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e dyshuar për përfshirje në procedurat që lidhen me lejimin dhe menaxhimin e eksportit të mbetjeve.

Hetimi lidhet me eksportimin e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës, të cilat u kthyen më pas në Shqipëri pas një sinjalizimi të bërë nga Rrjeti i Bazelit, që monitoron lëvizjen ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.

Prokuroria dyshon se në këtë proces janë shkelur rregullat ligjore dhe procedurat mjedisore, ndërsa po hetohet roli konkret i zyrtarëve të AKM dhe Doganave në dhënien e autorizimeve dhe lehtësimin e procedurave për eksportin e mbetjeve.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet zgjerimi i listës së personave nën hetim, ndërsa pritet një njoftim më i detajuar zyrtar për veprat penale dhe përgjegjësitë individuale.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×