
Në një forum të zhvilluar në Uashington DC mbi sigurinë dhe investimin në mbrojtje, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe kongresmeni amerikan Kieth Self diskutuan rëndësinë e investimeve në mbrojtje dhe rolin e NATO-s për stabilitetin në Ballkan.
Mediu falënderoi kongresmenin Self për angazhimin e tij ndaj Europës dhe veçanërisht ndaj vendeve të Ballkanit, duke theksuar mbështetjen që ka dhënë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Nga ana e tij, Self, kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme, vuri në dukje se investimi prej 5% në mbrojtje është jetik për të forcuar partneritetet brenda NATO-s dhe për të rritur stabilitetin në Europë dhe Ballkan. Ai theksoi se siguria në rajon është delikate, duke e përshkruar Ballkanin si “një fuçi baruti”, dhe argumentoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte një element stabilizues kyç.
Mediu theksoi rëndësinë e dakordësisë së të gjitha vendeve të NATO-s për nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe nënvizoi se kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe partneritet në rajon. Ai gjithashtu falënderoi komunitetin shqiptar në Dallas, Teksas, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë.
Ky forum nënvizoi edhe njëherë rolin strategjik të Ballkanit në NATO dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë midis aleatëve për të siguruar stabilitet dhe paqe në rajon.
Fatmir Mediu: Kongresmen Self, së pari, më lejoni t’ju falënderoj për angazhimin tuaj ndaj Europës dhe veçanërisht ndaj Ballkanit. Ju keni qenë shumë i zë i fuqishëm për shumë çështje dhe vecanërisht për ndihmën që u keni dhënë vendeve tona që të bashkohen në partneritet dhe të ndërtojnë paqe dhe stabilitet në pjesën tonë të botës. Ju faleminderit shumë. Fjala është për ju.
Kongresmen Kieth Self: Ju faleminderit shumë, zoti Ministër. Unë kryesoj Nënkomisionin për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme.
Dua të theksoj, para së gjithash, se që kur u bëra kryetar i nënkomisionit, kam pasur ndoshta 35 deri në 40 delegacione europiane që kanë kaluar nëpër zyrën time.
Ka shumë pasiguri — tarifat, Grenlanda, dhe mund të vazhdoja më tej. Por dua t’ju them se mendoj që ky angazhim prej 5% është jetik, sepse do të na bëjë partnerë më të barabartë në NATO, në Europë dhe sigurisht në Ballkan.
Dua të trajtoj edhe një çështje tjetër këtu: stabilitetin në Ballkan. Unë po kërkoj ekuilibër në Ballkan. Dua ekuilibër në Ballkan dhe mendoj se një nga pjesët kyçe — dhe e kam marrë si mision personal — është anëtarësimi i Kosovës në NATO, e cila do të ishte një forcë jashtëzakonisht stabilizuese në Ballkan. Prandaj duhet të bëjmë përparim në këtë drejtim dhe duhet t’u përgjigjemi kundërshtimeve të disa vendeve. Besoj se kjo është një pjesë kyçe e asaj për të cilën po flasim sot, sepse siguria në Ballkan — Ballkani sot, sipas mendimit tim, është një fuçi baruti — dhe ne duhet ta zgjidhim këtë dhe të sjellim stabilitet në rajon.
Me kaq, zoti Minister, ia lë fjalën përsëri juve. Faleminderit.
Fatmir Mediu: Ju faleminderit shumë, Kongresmen Self. Të gjithë shpresojmë që të gjitha vendet e NATO-s të bien dakord të paktën, për të nisur procesin e anëtarësimit për Kosovën. Brenda NATO-s, kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe më shumë partneritet në rajonin tonë, në Ballkan. Dhe mendoj se ata po punojnë fort për të arritur çdo objektiv që kërkohet për të qenë pjesë e aleancës së NATO-s.
Por ndërkohë që jeni këtu, nuk mund të rri pa falënderuar miqtë e mi nga Dallas, Teksas — komunitetin shqiptar atje — të cilët kanë punuar gjithmonë ngushtë me të gjithë ju dhe kanë qenë një mbështetje e madhe për kombin tonë.
and then