“Ndryshimi pamundësohet nëse nuk ndryshon PD”, Salianji: Nuk e shoh opozitën si vend pune, opozita duhet të hapet

Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te lëvizja e nisur prej tij, si edhe te kritikat ndaj lidershipit aktual të opozitës.

Salianji u shpreh se opozitat në çdo vend kanë epërsi morale ndaj qeverisë, duke theksuar se kjo duhet të reflektohet edhe në mënyrën se si funksionon opozita në Shqipëri. Sipas tij, nëse qeveria nuk toleron mendimin ndryshe, atëherë opozita duhet të bëjë të kundërtën, duke dëgjuar dhe përfshirë të gjitha zërat.

Ai theksoi se bashkimi i opozitës duhet të jetë hapi i parë, i cili më pas duhet të pasohet nga hapja e partisë. Sipas Salianjit, nëse Partia Demokratike do ta kishte bërë vetë këtë proces, ai nuk do të kishte ndërmarrë lëvizjen e tij politike.

Ish-deputeti shtoi se ka pasur role të rëndësishme brenda PD-së, duke qenë pjesë e Kryesisë dhe drejtues politik në një zonë, por theksoi se nuk e sheh opozitën si një vend pune. Sipas tij, situata aktuale nuk mban peng vetëm PD-në, por edhe kontributin dhe sakrificën e mbështetësve të saj.

Salianji deklaroi se ndryshimi politik është i pamundur nëse nuk ndryshon vetë Partia Demokratike, duke kujtuar se opozita ndodhet në vitin e 13-të jashtë pushtetit. Ai solli në vëmendje protestat e viteve 2017 dhe 2019, duke thënë se në vitin 2017 protesta funksionoi, por sipas tij u dështua nga lidershipi kur u ul në tryezë me kryeministrin Rama. Ndërsa për protestat e vitit 2019, ai theksoi se ato kishin pjesëmarrje masive dhe prodhuan reagim dhe efekt.

Sipas Salianjit, sot opozita ndodhet përballë pyetjes se cili është efekti konkret i aksioneve të saj politike.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×