“Faktor stabiliteti në rajon”/ Niko Peleshi: Pavarësia e Kosovës, një nga aktet më të ndritura në historinë moderne të kombit shqiptar

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi mori pjesë në pritjen solemne me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku përcolli urimet më të përzemërta në emër të Kuvendit dhe popullit shqiptar duke e cilësuar këtë datë si një moment historik lirie, dinjiteti dhe drejtësie për kombin shqiptar.

Në fjalën e tij, Peleshi e konsideroi Pavarësinë e Kosovës një nga aktet më të ndritura në historinë moderne kombëtare duke theksuar se ajo përfaqëson triumfin e të drejtës së një populli për të jetuar i lirë, sovran dhe i pavarur pas dekadash shtypjeje, diskriminimi dhe dhune sistematike.

Ai vlerësoi sakrificën dhe qëndresën e popullit të Kosovës, si dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në realizimin e këtij qëllimi historik.

Kryetari i Kuvendit theksoi se Republika e Kosovës, edhe pse një shtet i ri, është shndërruar në një shtet demokratik dhe një faktor stabiliteti në rajon duke zënë vendin e saj në komunitetin e vendeve demokratike. Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Europian, të cilët u rreshtuan në anën e drejtësisë dhe lirisë.

Në këtë kuadër, Peleshi shprehu shqetësimin për proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare duke theksuar se drejtësia për ta lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë e vetë kauzës së Kosovës. Ai kujtoi gjithashtu Deklaratën e 13 shkurtit të Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare duke e cilësuar këtë qëndrim si një detyrim moral, historik dhe kombëtar.

Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, Kryetari i Kuvendit theksoi se ato janë marrëdhënie vëllazërore dhe një partneritet strategjik, i bazuar në histori, sakrifica dhe aspirata të përbashkëta për integrim euroatlantik. Ai nënvizoi angazhimin për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian, NATO dhe Këshillin e Europës.

Peleshi vuri në dukje gjithashtu mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Kosovën duke e cilësuar këtë si një garanci të rëndësishme për të ardhmen e saj dhe të gjithë rajonit.

Në përfundim, ai theksoi se Pavarësia e Kosovës është një fitore e lirisë mbi shtypjen dhe një krenari për gjithë kombin shqiptar duke uruar institucionet e Kosovës për sukses në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×