
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për dëmtimet që kanë sjellë edhe bllokimin e rrugës Librazhd-Pogradec.
Mësohet se hetimet janë nisur për shpërdorim detyre shkelje të barazisë në tenderë e shkatërrim i rrugës.
Pas denoncimeve publike për dëmtim të rëndë të mjedisit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur sot një inspektim të thelluar në zonën e lumit Shkumbin, pranë fshatit Dragostunjë, ku janë konstatuar rrëshqitje masive toke me pasoja serioze për infrastrukturën.
Që në orët e para të mëngjesit, në terren kanë qenë të pranishëm IKMT Elbasan, Policia Shkencore dhe Prokuroria, të cilat po kryejnë verifikime intensive mbi aktivitetin e një kompanie që dyshohet se ka ushtruar shfrytëzim të lumit për marrjen e inerteve.
Burime nga grupi i inspektimit bëjnë me dije se po kontrollohet dokumentacioni mbi lejen për shfrytëzim, koordinatat e miratuara të ndërhyrjes, si dhe nëse janë respektuar sasitë e lejuara të materialeve të nxjerra.
Situata në terren paraqitet alarmante. Përveç bllokimit total të aksit rrugor që lidhet me projektin e Korridori VIII, rrëshqitjet e tokës kanë përfshirë edhe linjën hekurudhore, si dhe linjën elektrike me tension të lartë 110 KV, duke rritur rrezikun për ndërprerje të energjisë dhe pasoja të tjera zinxhir.
Ekspertët po analizojnë nëse ndërhyrjet në shtratin e lumit kanë ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin e tokës, duke përkeqësuar situatën gjeologjike në zonë.
Ndërkohë, burime pranë hetimit nuk përjashtojnë mundësinë e procedimeve penale nëse konstatohen shkelje të ligjit.
and then