
Kombëtarja shqiptare e vajzave nisi mesditën e sotme grumbullimin e parë për vitin 2026 në Shkodër, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2027, ku Shqipëria është pjesë e Grupit B1, së bashku me Malin e Zi, Çekinë dhe Uellsin.
Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima dhe stafit kuqezi, skuadra zhvilloi seancën e parë stërvitore. Në një intervistë për fshf.org tekniku kuqezi foli për objektivat e skuadrës në këtë fushatë kualifikuesesh Botërori, përforcimet me lojtaret e reja të ftuara në këtë grumbullim dhe kundërshtaret e grupit B1.
Objektivat e skuadrës në këtë fushatë kualifikuesesh – Për çdo kompeticion, rriten pretendimet tona. Nuk jemi më Shqipëria që shkojmë për të mos humbur thellë, apo për të bërë lojë dinjitoze. Këtë herë do të shkojmë për të marrë pikët e nevojshme që ne na duhen për të siguruar qëndrimin në Ligën B dhe normalisht pretendojmë diçka më shumë në bazë të ndeshjeve, por duke parë dhe gjendjen fizike të vajzave. Shpresojmë që do të bëjmë diçka më mirë në këtë edicion.
Rikthimet e disa lojtareve dhe energjia e lojtareve te reja – Me lojtaret e rikthyera që kanë qenë më parë, pretendojmë që të fuqizojmë akoma edhe më shumë skuadrën, që të kemi edhe konkurrencë më shumë. Presim shumë prej tyre sepse janë lojtare që kanë qenë pjesë e jona dhe janë rikthyer. Për vajzat e reja, po i japim një mundësi më shumë që ta shohin veten pranë ekipit të parë dhe që, duke punuar shumë, duke dhënë maksimumin, duke djersitur shumë dhe duke pasur një shembull vajzat që ne kemi në skuadër, edhe ato të ecin përpara dhe të kenë një derë të hapur tek ekipi Kombëtar A. E kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Por dhe ne duhet të kemi gatishmërinë e vajzave të reja që ta shohin veten pjesë përbërëse të skuadrës dhe do t’ua japim ne mundësinë që ato të jenë pjesë e rëndësishme e skuadrës tonë.
Si i sheh trajneri kundershtaret e grupit B1? – Të tre kundërshtaret janë të forta, pavarësisht se shkalla e vështirësisë së Malit të Zi me Çekinë dhe Uellsin ndryshon. Për ne e rëndësishme është që të mendojmë dhe të punojmë këto ditë për të kaluar me sukses ndeshjen me Malin e Zi. Është shumë e rëndësishme për ne që ta kalojmë këtë ndeshje me sukses dhe pastaj do mendojmë edhe për Çekinë. Kundërshtaret janë të forta, duhet impenjim dhe vlerësim maksimal dhe të japim 100% tonë në fushë për të marrë atë që ne pretendojmë të marrim këtë sezon.
and then