Më i shpejti në teste nuk fiton titull, Leclerc shpreson të thyejë “mallkimin”

Statistikat vlejnë aq sa vlejnë. Shpesh janë thjesht një mënyrë për të hapur debat, duke nxjerrë në pah një detaj të përzgjedhur nga një oqean i të dhënave. Me përfundimin e testeve para-sezonale në Bahrejn, Formula 1 ka ofruar shumë tema diskutimi.

Në pritje të nisjes së Botërorit më 8 mars në Australi, lind natyrshëm pyetja, duke parë disa shifra, kush do të jetë piloti më konkurrues këtë vit? Dhe pikërisht këtu hyn në lojë një statistikë interesante…

MAKS, NJË PËRJASHTIM

Në shtatë sezonet e fundit, asnjë nga pilotët që ka regjistruar kohën më të shpejtë në teste nuk ka fituar titullin kampion në fund të vitit. Askush, përveç Vershtapenit në vitin 2021, i cili ishte më i shpejti në shkurt, për t’u shpallur më pas kampion në dhjetor. Edhe pse ai sezon u mbyll me finalen e diskutueshme në Abu Dabi, me hyrjen e Makinës së Sigurisë pas 57 xhirosh të dominuara nga Luis Hamiltoni. Për pjesën tjetër, koha më e mirë para nisjes së kampionatit nuk është përkthyer kurrë në titull botëror.

PRECEDENTËT

Në vitin 2019, Sebastian Feteli shënoi kohën më të shpejtë në teste, por kampion u shpall Hamiltoni. Në 2020-ën ishte radha e Valteri Botasit, por sërish fitoi Hamiltoni. Në vitin 2021 erdhi “dopieta” e Vershtapenit. Në 2022-shin Hamiltoni dukej më i shpejti në prova, por titulli shkoi sërish për Maksin. Në vitin 2023 më i shpejti ishte Sergio Perez, por në fund triumfoi Vershtapen.

Ndërsa në sezonet 2024 dhe 2025, Karlos Sainz bëri një parasezon shumë të mirë, por titujt i fituan respektivisht Vershtapen dhe Lando Norris. Me pak fjalë, të jesh më i miri në testet parasezonale nuk duket si ogur i mirë për titullin. Dhe këtë vit, më i shpejti ka qenë Sharl Lëklerk… A do ta thyejë piloti i Ferrarit “mallkimin” e testeve? Sezoni do ta tregojë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×