
Ndërsa prej mesditës së djeshme është rikthyer qarkullimi normal i automjeteve në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, zhvillime të reja vijnë nga segmenti i dëmtuar në zonën e “Arrave të Gurrës”, në Dragostunjë të Librazhdit, pjesë e zgjerimit të Korridorit VIII.
Për një periudhë disa mujore, punimet në pjesën e prekur nga rrëshqitjet janë pezulluar përkohësisht, pas një incidenti serioz gjeologjik që shkaktoi zhvendosjen dhe fundosjen e një sipërfaqeje në formë skarpate prej rreth 1500 m². Si pasojë, u shkatërrua një segment i rrugës kombëtare ekzistuese, një pjesë e segmentit në ndërtim të Korridorit VIII, traseja e hekurudhës Librazhd–Xhyrë, si dhe një pjesë e rrjetit të Tensionit të Lartë.
Për të garantuar sigurinë maksimale të qarkullimit në segmentin provizor të hapur për automjetet, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka urdhëruar që në zonën e prekur të mos kryhen punime deri në përfundimin dhe hapjen për qarkullim të një rruge alternative.
Sipas planit të bërë publik, nga kjo mesjavë nis menjëherë puna për finalizimin e projektit të një rruge provizore prej 1.3 kilometrash, e cila do të ndërtohet paralel me trasenë e hekurudhës dhe përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin. Kjo zgjidhje synon të devijojë përkohësisht trafikun, duke krijuar kushte të sigurta për rifillimin e ndërhyrjeve në segmentin e dëmtuar.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, ka bërë me dije se ndërtimi i rrugës alternative, nga momenti i nisjes së punimeve, do të zgjasë minimalisht 60 ditë. Vetëm pas përfundimit të kësaj rruge dhe hapjes së saj për qarkullim, do të rifillojnë punimet e pezulluara në segmentin e prekur nga rrëshqitjet masive të dheut.
Zona e Arrave të Gurrës konsiderohet tashmë një pikë kritike për shkak të kushteve gjeologjike dhe ndikimit të punimeve në terren. Institucionet përgjegjëse po monitorojnë situatën për të shmangur rreziqe të tjera, ndërsa prioritet mbetet garantimi i sigurisë për qytetarët dhe mbarëvajtja e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Rikthimi i qarkullimit në aksin Librazhd–Prrenjas ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve drejt juglindjes së vendit, por sfida e stabilizimit përfundimtar të segmentit në zgjerim mbetet ende për t’u zgjidhur në muajt në vijim.
and then