Akuzohet për vrasjen e Çajup Selimit, Ahmet Abedini dëshmon në GJKKO: Telefononte nusen time pa pushim, mora vesh që u vra kur…

Në seancën e radhës në Gjykata e Posaçme, dëshmoi Ahmet Abedini, babai i Erisjano Abedinit dhe vëllai i Bujar Abedinit, ky i fundit i akuzuar nga SPAK për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Ahmet Abedini tregoi se ditën e ngjarjes kishte qenë në punë dhe më pas ishte nisur për në Gjirokastër, pasi kishte shtruar nënën në spital. Ai sqaroi se kishte të njëjtin aktivitet tregtar me viktimën, duke shitur materiale ndërtimi.

“Kam dy dyqane. Një e punoj vetë, një e punonte gruaja,” tha ai.

Abedini pranoi se kishte pasur konflikte me Çajup Selimin, duke pretenduar se ky i fundit i bënte telefonata anonime bashkëshortes së tij, në çdo orë të ditës dhe të natës.

“Kemi pasur konflikte edhe me fjalë dhe nja dy herë është rrahur me djalin, Elisjanon. I binte telefonit pa pushim. I thamë mos i bjer telefonit. Vajtuam edhe në gjykatë për këtë punë. Nusja kishte bërë padi,” – dëshmoi ai.

Sipas tij, për rreth 5-6 muaj para ngjarjes, palët kishin arritur një marrëveshje në polici për të shmangur konfliktet. Megjithatë, ai tha se ishin të bindur se telefonatat vazhdonin të bëheshin nga Selimi.

“Bashkëshortes i binte telefoni në çdo orë të ditës, ndonjëherë edhe jo anonime. I dërgonte mesazhe. Ajo i thoshte mos i bjer më telefonit. Nuk i përgjigjej,” deklaroi Abedini.

Lidhur me vëllain e tij, Bujar Abedinin, ai tha se ky i fundit banon në fshat dhe merret me blegtori, duke shtuar se nuk kishte dijeni për telefonatat që i bëheshin bashkëshortes së tij.

“Bujarin mund të kisha 10 ditë pa e takuar. Nëna rrinte me Bujarin, por në spital e shoqëroja unë, se ai kishte bagëti, ishte çoban,” u shpreh ai.

Ahmet Abedini tregoi se lajmin për vrasjen e Çajup Selimit e kishte marrë rreth mesnatës.

“Nga ora 12:00 e natës e mora vesh që ishte vrarë Çajupi. Vajta në komisariat, më thanë hajde. I pyeta 10 herë çfarë keni, nuk më thanë. Në komisariat më thanë që ishte vrarë. U thashë që kam qenë rrugëve, kisha çuar nënën në spital,” dëshmoi ai.

Sipas tij, djali Erisjano ndodhej në Tiranë dhe ishte kthyer pas 3-4 ditësh. Ai shtoi se atë natë policia e kishte kërkuar, por më pas kishte komunikuar me të përmes telefonit të nuses.

“Nuk shkuam në varrimin e tij se isha në polici,” përfundoi dëshminë ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×