Enno Bozdo: Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndalojë abuzimin me çmimin e karburanteve

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, iu është bashkuar zërave që kërkojnë ndërhyrje urgjente institucionale për të ndaluar rritjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri dhe për të shmangur abuzimet e mundshme të tregtarëve, duke kundërshtuar arsyetimet zyrtare për ndikim nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Në një postim në FB, Bozdo thekson se rritjet e paralajmëruara të çmimeve në tregjet vendase nuk reflektojnë në mënyrë të drejtë lëvizjet e tregjeve ndërkombëtare, të cilat sipas tij nuk kanë shënuar rritje të mjaftueshme apo të qëndrueshme për të justifikuar ngritje kaq të shpejtë të cmimit të karburanteve. Ai rikujton se kompanitë tregtuese janë të detyruara me ligj të mbajnë rezerva hidrokarburesh për të paktën 90 ditë konsum, çka do të duhej të zbusë ndikimin e lëvizjeve të çmimeve në bursë ndaj tregut vendor, duke penguar reagime të menjëhershme të çmimeve.

Bozdo shpreh shqetësim për mungesën e një reagimi nga Autoriteti i Konkurrencës, duke pyetur nëse ky institucion po monitoron apo po lejon manipulimin e çmimeve në dëm të konsumatorëve. Sipas tij, pa një kontroll të fortë të konkurrencës dhe zbatimin e ligjit, rritjet e çmimeve mund të shndërrohen në abuzim tregtar, duke rënduar familjet shqiptare dhe bizneset në një kohë kur fuqia blerëse është e kufizuar.

Ai gjithashtu bën thirrje që qeveria të shqyrtojë masa lehtësuese fiskale, duke ulur ngarkesat taksore mbi karburantet, veçanërisht kur Shqipëria ka një nga çmimet më të larta të karburantit në rajon dhe në Evropë, për të shmangur rëndimin e barrës financiare te qytetarët.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×