Erilinda Lala në qendër të skandalit të lejes për resortin 10 mln euro në Qerret. KKT miratoi kullën 15 kate para se Bashkia të jepte “Ok” për tokën

Emisioni Vetting

Këshilli Kombëtar i Territorit shkeli ligjin e pushtetit vendor, dha tokën pa lejen e Bashkisë
Më 23 Korrik 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit do të bënte mbledhjen e radhës për të miratuar lejet për kullat dhe resorte që lidhen me kompetencat e saj. Në këtë mbledhje do të binte në sy leja e ndërtimit e miratuar në po këtë datë për ish kompaninë e Drejtoreshës së Tatimeve Erilinda Lala, pas të cilës dyshohet se qendron i shoqi Taulant Godroli.

Sipas projektit parashikohej dhënia e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë banimi, shërbimi dhe hotel 3, 8, 10, 12 dhe 15 kate mbi tokë, me 2 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Qerret dhe me subjekt zhvillues kompaninë “2D Construction 2025”.

Dokumentet e siguruara nga “Vetting” evidentojnë se leja e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit është dhënë përpara se të përcaktohet natyra e tokës, pra tokë për zhvillim dhe ndërtim.

Por cila është shkelja?

Në procedura të tilla, përpara se Këshilli Kombëtar i Territorit të miratojë një leje ndërtimi të tillë, kjo tokë duhej të kalonte njëherë për miratim si Vendim nga Këshilli Bashkiak. Sipas dokumenteve zyrtare, procedurat nuk kanë ndjekur ligjin, por kërkesën për miratimin shpejt e shpejt të kësaj leje ndërtimi. “Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për këtë vendim, i cili edhe pse kanë më shumë se 6 muaj që është marrë nuk është zbardhur nga AZHT-ja.

Redaksia ka bërë një ankesë për institucionin dhe aktualisht kërkesa është regjistruar pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi, pasi AZHT-ja refuzon të bëjë transparencën që e ka të detyrueshme me ligj.

Fillimisht kompania që do të zhvillojë projektin, “2D Construction 2025” ka paraqitur një kërkesë për zhvillimin e projektit turistik në Qerret.

Pas kësaj kërkese, Bashkia Kavajë përgatit një projekt-vendim për Këshillin Bashkiak për përdorimin e një pjese të tokës publike në Qerret. Në këtë dokument bashkia shpreh “dhënien e pëlqimit në parim” që kjo tokë të zhvillohet nga investitori. Termi “dhënie e pëlqimit në parim” në praktikën administrative do të thotë se bashkia nuk ka miratuar ende një marrëveshje konkrete, por jep një miratim paraprak që projekti të vazhdojë me procedurat e tjera. Praktikisht ky term nuk ekziston në ligjin shqiptar pasi është një shpikje e administratës publike. Ky term nuk gjendet në asnjë ligj dhe as në Kushtetutë, por ndiqen procedura ligjore për të vazhduar me miratimin e statusit të tokës.

 

Sipas avokates Kola, nuk ekziston në jurisprudencë ky term.

“Për kaq vite sa ushtroj unë dhe praktikoj jurisprundecën dhe e njoh ligjin, nuk ka ndonjë term që thotë “pëlqim në parim”. Pëlqim në parim janë muhabete kafesh. Ulemi të dy dhe unë them, shiko, unë në parim jam dakord me këtë që thua ti, POR”, gjithmonë fjalia vazhdon me një “por”, tha avokatja Kola duke shprehur habi për termin.

Pas termit nga Bashkia Kavajë “dhenie e pëlqimit në parim”, më pas ky projekt-vendim votohet nga Këshilli Bashkiak i Kavajës. Me votimin e këtij vendimi, Këshilli Bashkiak autorizon administratën e bashkisë të vazhdojë procedurat për zhvillimin e tokës dhe i jep të drejtën kryetarit të bashkisë të negociojë dhe të lidhë marrëveshje me investitorin. Ky është momenti kur bashkia jep miratimin ligjor për projektin.

Në të njëjtën kohë, projekti dërgohet për shqyrtim në nivel qendror pranë Këshillit Kombëtar të Territorit, por Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk mund të dalë me një vendim për leje ndërtimi pa u miratuar vendimi për lejen e tokës nga Këshilli Bashkiak Kavajë. Në mbledhjen e datës 23 korrik 2025 është miratuar dhënia e lejes së ndërtimit për objektin në Qerret.

Nga kjo kronologji del një element që evidenton anashkalimin e pushtetit vendor dhe të vetë ligjit. Në praktikën ligjore fillimisht rregullohet marrëdhënia juridike mbi tokën dhe më pas kërkohet leja e ndërtimit. Në këtë rast, nga dokumentet duket se leja e ndërtimit është miratuar nga KKT-ja përpara se të firmosej kontrata përfundimtare mes bashkisë dhe investitorit. Fillimisht projekti del me leje ndërtimi nga KKT më 23 korrik 2025, më pas kompania i shkruan Bashkisë Kavajë se është pajisur me këtë leje dhe kërkon vazhdimin e procedurave në Këshill Bashkiak për pronën nr. 117.

Vetëm pas kësaj vjen Vendimi nr. 45 i Këshillit Bashkiak më 20 tetor 2025 për dhënien për zhvillim të pronës publike, më pas vjen verifikimi i Prefektit dhe autorizimi i kryetarit për nënshkrimin e kontratës dhe në fund lidhet kontrata e sipërmarrjes. Pra rendi normal i procedurave ligjore është përmbysur. Në vend që kompania të siguronte më parë të drejtën mbi pronën publike dhe pastaj të merrte lejen e ndërtimit, nga dokumentet rezulton e kundërta, pra leja ka ardhur e para dhe e drejta mbi pasurinë është formalizuar më pas.

Pyetja bëhet shumë e thjeshtë, mbi çfarë titulli juridik është dhënë leja e ndërtimit?

Sipas avokates Margarita Kola, në raste kur jepen leje ndërtimi, në fillim toka ku do të ndërtohet duhet të jetë në regjimin juridik të truallit.

“Nuk mund të japësh leje ndërtimi, për një tokë, e cila mund të ketë regjim juridik, mund të jetë tokë bujqësore ose pyll, kullotë. Ka një regjim të caktuar juridik.

Mund të ishte ndryshuar regjimi juridik I tokës me një vendim të këshillit bashkiak, por duhej të ishte një herë kjo, pra ishte si parakusht. Pastaj që të jepet leja e ndërtimi, duhej të ishte marrë një herë ky vendimi, të ishte toka truall pastaj të jepej leja e ndërtimit”, u shpreh avokatja Kola.

Avokatja vazhdon shton më tej se është është ndryshuar radha e veprimeve, duke qenë komplet e kundërta.

Në të njëjtën kohë duhet parë edhe përputhja me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë, i cili është rishikuar dhe miratuar nga KKT-ja në vitin 2023 dhe përcakton parametrat e zhvillimit urban për territorin e bashkisë.

Në Planin e Përgjithshëm Vendor, për këtë zonë lejohet deri në 6 kate ndërtimi ndërsa projekti e ka 15 kate, duke ngritur hipotezën se ky projekt mund të ketë status të vecantë.

Projekti është shumë më i lartë se parametrat bazë të njësisë G2-A42-01. Nga rishikimi i PPV-së së

Bashkisë Kavajë, për këtë njësi rezultojnë parametra që e çojnë lartësinë referuese në 6 kate, ndërsa intensiteti dhe koeficientët rriten, por jo në mënyrë që të shpjegojnë vetvetiu një kullë 15-katëshe.

“Vetting” i bëri një kërkesë për koment Bashkisë Kavajë për Vendimin e Këshillit Bashkiak Kavajë që ishte marrë pasi ishte dhënë leja e ndërtimit për tokën nën administrimin e bashkisë. Deri në publikimin e këtij materiali, institucioni nuk bëri asnjë koment në lidhje me këtë çështje.

Një problem serioz është statusi i vetë pasurisë nr. 117. Në vendimin e Këshillit Bashkiak Kavajë ajo paraqitet si pasuri e llojit “pa frut”, por nga dokumentet kadastrale dhe relacioni del se pasuria ka shënime si “rrugë + kanal”. Kjo do të thotë se prona publike nuk është thjesht një truall bosh në bregdet, por një pasuri ku rezulton të ekzistojë funksion publik infrastructure, për të cilin duhen edhe miratime nga institucione të tjera.

Problemi i rëndësishëm është se vetë kompania i shkruan bashkisë pasi ka marrë lejen e ndërtimit, duke kërkuar vazhdimin e procedurave për pronën publike. Kjo letër në vetëvete është shumë domethënëse sepse tregon se edhe vetë subjekti e pranon se, megjithëse ka lejen në dorë, procedurat me bashkinë për tokën ende nuk janë mbyllur.

Një tjetër problem është mungesa e pagesës së taksës, sipas përgjigjes zyrtare të Bashkisë Kavajë.

Bashkia thotë se pranë saj nuk është bërë asnjë pagesë nga kompania. Kjo nuk do të thotë automatikisht se leja është nul, por do të thotë se projekti, të paktën sipas dokumenteve që ke, nuk rezulton i konsoliduar edhe në anën financiare ndaj bashkisë. Pra kemi një projekt me leje, me kontratë të mëvonshme, por pa pagesë të evidentuar te bashkia.

Por pyetja më e rëndësishme është kjo, nga do ti gjejë të ardhurat për taksën e infrastrukturës kompania, e cila shkon rreth 1 milion euro?

“Vetting” i bëri një kërkesë për koment Drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit Adelajda Roka, e cila ka rolin e Sekretariatit Teknik për faktin se si ishte dhënë leja e ndërtimit pa kaluar vendimi për tokën te Këshilli Bashkiak Kavajë, duke qenë në shkelje të ligjit. Gjithashtu në kërkesë ishin dhe pyetjet se si ishte dhënë një leje për godinë 15-katëshe, kur për tokën ku aplikuar kompania, Plani i Përgjithshëm i Vendor i Bashkisë Kavajë parashikon godina deri në 6 kate.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Drejtoresha Roka nuk dha asnjë sqarim për rastin konkret, për të shpjeguar se si ishte marrë ky vendim.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×