Rama përjashtoi nga konferenca Ambrozia Metën dhe Isa Myzyrajn, reagon Unioni: Solidariteti mes gazetarëve, një komponent i munguar

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot gjatë konferencës për shtyp e zhvilluar nga kryeministri i vendit zoti Edi Rama me reporterë kryesisht të mediave televizive, në sallën e konferencave të Kryeministrisë.

“Polemika verbale  e kryeministrit me reporteren Ambrozia Meta, e ripërsëritur edhe më herët në të njëjtën mënyrë, zhvleftëson qëllimin dhe shmang mundësinë për përgjigje konkrete për çështje shqetësuese me të cilat përballet vendi dhe përgjegjësitë që mbart qeverisësi.

Këmbëngulja e reporteres duke replikuar përmes një dialogu proliks me kryeministrin, u përdor prej tij për të shmangur edhe përgjigjet konkrete, por edhe përgjigjet e kolegëve në pritje”, thotë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Nga ana tjetër, masa përjashtuese që kryeministri në kuadër të kësaj situate, dha ndaj reporteres, është një vendim pengues dhe cënim i aksesit dhe i lirisë për komunikim me reporterët, pamvarësisht angazhimit ose jo të tyre.

“Nervozizmi dhe sidomos masa përjashtuese nga ana e kryeministrit ndaj reporteres Meta dhe ndonjë tjetri, shënon rastin e përsëritur të mospërmbajtjes së tij ndaj këmbënguljes së reporteres për përgjigje specifike.

Nisur nga parimet deontologjike, UGSH shpreh rezervën për tonet e komunikimit mes reporteres dhe kryeministrit, kur bëhet fjalë për normat e Kodit të Etikës sipas praktikave klasike në konferenca për shtyp.

UGSH dënon vendimin përjashtues të kryeministrit ndaj gazetarëve, të cilët këmbëngulin për përgjigje specifike dhe transparencë.

UGSH i drejtohet Kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë politikë me thirrjen se përdorimi i konferencave për shtyp si foltore për politizim të marrëdhënies verbale mes tyre dhe pronarëve të medave, shpesh vlen si alibi marrëdhëniesh të fshehta dhe kompromentuese, si gjurmë intimidimesh dhe flirtimesh të korruptuara mes dy pushteteve.

Vënia nën kësi breshërish verbale e reporterëve të mediave, shkakton dëme serioze dhe pasoja politizimi dhe stigmatizimesh politike.

UGSH nisur prej këtij rasti e gjen të udhës t’u drejtohet kolegëve gazetarë me apelin për më shumë solidaritet me kolegët dhe respektim të parimeve etike.

Ne vërejmë me shqetësim se kohët e fundit në mediat tona dhe sidomos brenda komunitetit të gazetarëve është rikthyer një frymë e papranueshme fragmentarizimi, diversiteti të panevojshëm pozicionimesh politike si dhe diferencë e theksuar mes gazetarisë profesioniste dhe asaj të angazhimeve pranë kaheve politike”, thuhet në deklaratën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×