Ballkani mposht Dritën dhe rikthehet në krye të renditjes, Llapi fiton në finish dramatik në Klinë

Ballkani ka shënuar fitore bindëse në derbin e xhiros së 24-t të AlbiMall Superligës së Kosovës, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 3:0 dhe duke u rikthyer në vendin e parë në tabelë. Ndeshja e zhvilluar të dielën në Suharekë, u dominua nga skuadra vendase që arriti të shfrytëzojë rastet dhe të sigurojë tri pikë shumë të rëndësishme në garën për titull.

Ballkani e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi që në minutën e tretë Bleart Tolaj realizoi një supergol për epërsinë 1:0. Vendasit vazhduan të jenë më kërkues në sulm dhe në minutën e 38-të Arbër Potoku e dyfishoi epërsinë, duke bërë që pjesa e parë të përfundojë me rezultatin 2:0 në të mirë të portokallezinjve. Në pjesën e dytë Ballkani menaxhoi mirë lojën dhe në minutën e 79-të finalizoi një aksion të bukur, kur Almir Kryeziu realizoi për rezultatin përfundimtar 3:0, pas një super asistimi nga Ribeiro. Pas kësaj fitoreje Ballkani është rikthyer në krye të tabelës me 42 pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e dytë, ndërsa të dy skuadrat kanë krijuar shkëputje prej katër pikësh nga ndjekësit dhe pritet të zhvillojnë një garë të fortë për titull deri në fund të kampionatit.

Fitore të rëndësishme në këtë xhiro ka shënuar edhe Llapi, që në Klinë e ka mposhtur Dukagjinin, me rezultat 2:1. Skuadra nga Podujeva kaloi në epërsi shumë herët, kur në minutën e dytë Edon Sadriu realizoi për 1:0. Dukagjini reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 54-t përmes Hekuran Berishës. Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit me rezultat të barabartë, në minutën e katërt shtesë Fiton Ademi devijoi topin në portë dhe i siguroi Llapit tri pikë tejet të vlefshme. Vlen të theksohet se Dukagjini kishte humbur edhe një penallti në pjesën e parë. Pas kësaj fitoreje Llapi është forcuar në vendin e shtatë me 29 pikë, ndërsa Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 33 pikë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×