
Pas transmetimit të emisionit “Me Zemër të Hapur” në News42, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, ku për herë të parë foli babai i Xhuana Nikollajt, duke dhënë një dëshmi rrëqethëse vetëm 24 orë pas varrimit të së bijës, opinioni publik u trondit thellë nga dhimbja dhe fjalët e tij. Ai rrëfeu për redaksinë momentet e fundit, telefonatën e mëngjesit me të bijën, heshtjen e saj për gjithçka që mund të kishte përjetuar dhe vendimin e familjes për t’ia lënë drejtësisë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Një rrëfim i thjeshtë, por i mbushur me peshë dhe dhimbje, që ngriti shumë pikëpyetje mbi atë që kishte ndodhur pas dyerve të mbyllura.
Ndërkohë, u bënë publike edhe detaje të rënda nga ngjarja, përfshirë dyshimet për dhunë dhe rrethanat që paraprinë aktin tragjik, duke e bërë edhe më të fortë nevojën për të vërtetën. Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” transmetoi një tjetër dëshmi nga një familjare e ish-bashkëshortit të saj Eraldo Fizi, duke sjellë më shumë element mbi një histori që ka prekur mbarë opinionin publik dhe që kërkon drejtësi. Familjarja e Eraldos mohoi zërat se ish-vjehrra e Xhuanës ka ushtruar dhunë ndaj kësaj të fundit.
“I shpreh familjes ngushëllime. Jemi të shokuar për shumë arsye. Kam qenë shumë afër në ceremoninë e fejesës, dasmës. Një çift i lumtur, që shihnim në sytë e tyre vetëm dashuri. I shpreh ngushëllime familjes, për të përballuar këtë dhimbje të madhe, që nuk ia uroj kurrë as hasmit. Dua të jem e sinqertë. Kam 40 vite që jam e martuar në këtë familje. Janë familje e mrekullueshme, nuk janë të dhunshme. Kurrë nuk e kishim menduar kurrë. Të gjitha do të sqarohen nga drejtësia, por ajo nuk kthehet më. Kushdo që hyn në këtë familje si nuse është bekim. E morëm vesh lajmin përmes televizorit. Me ulërima kur e mora vesh, më duket e pabesueshme. Nuk shpreh dot fjalë nga dhimbja. Unë përsa di, nga ajo çka kam parë unë me sy, dhimbjen e kanë dhe familja e djalit. Nuk kanë pasur raste dhune. Nuk besoj se ka pasur dhunë. Ne nuk e dinim se ishin ndarë, u shokuam kur ndodhi ngjarja. Ai punonte nga Mali i Zi. Nuk besoj se ka qenë në Itali. Ishin të gjithë si familje që punonin. Jemi të shokuar. Eraldon e kam takuar që kur u bë dasma. Pas ngjarjes kam folur me familjarët tanë. Familja e Eraldon janë të shokuar, vetëm qajnë. U duket e pabesueshme. Se di pse u arratis Eraldo. Eraldo pësoi pak para dasme një paralizë faciale. Nuk e dimë si ndodhi kjo gjë, kemi një javë pa gjumë. Kam një mesazh për gjithë rininë, nuk është zgjidhje dhuna, nëse ka pasur një të tillë. Janë njohur që në adoleshencë, që në vit të tretë në gjimnaz. Kam parë vetëm lumturi te sytë e tyre. Nuk mendoj se një nënë mund të bëjë këtë gjë djalit, që të dhunojë nusen e tij. Ish-vjehrra e saj është shumë e ndjeshme, e dhimbsur shumë. Ajo ishte aq e lumtur kur i bëri dasmën të dyve.”, përfundoi familjarja e çiftit Fizi.
and then