
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka komentuar në lidhje me protestën e radhës, duke theksuar pakënaqësinë e qytetarëve ndaj tubimeve që ai i cilëson “monotone” dhe të limituara vetëm në fjalime, duke kërkuar masa më ekstreme nga deputetët, brenda dhe jashtë Kuvendit.
I ftuan në “Kjo Javë” në News24, Korreshi zbuloi gjithashtu se ka qenë pro skenarit për ngujimin e deputetëve në Kuvend, por se ky propozim nuk ka gjetur mbështetjen e shumicës së grupit parlamentar.
Megjithatë ai ka shtuar se një skenar i tillë mbetet ende në tavolinë.
“Si kryetar dege merrem pak edhe me anën e organizimit të protestave. Shumë mbështetës na janë mërzitur pse vetëm me fjalime, pse monotone, ishte kritike masive dhe njerëzit donin aksion. Njerëzit nuk e kanë dot më qetësinë pas aq grabitjeve. Qytetarët kanë kërkuar qe deputetët të futen edhe në ngujim, kërkojnë masa më ekstreme, e kanë kërkuar disa herë.
Kryengritje paqësore nuk ka, por nëse studiohen revolucionet, sjellin vetëm diktatura dhe ne nuk pretendojmë të marrim pushtetin me dhunë. Duam të japim një mesazh edhe për ndërkombëtarët përtej denoncimeve të bëra.
Ka një mllef te akumuluar dhe duan ta kanalizojnë në protestë. Deputetët vihen në vijën e parë, jo se duam të godasim policinë. Qëllimi ynë është të “goditen” dhe mllefi të jetë ndaj institucioneve.
Deputetët janë vënë në vijën e parë të mbrojtur efektivët dhe protestuesit. Nuk e kemi luksin që protestuesit t’i pajisim me maska. Shohim që duan një aksion nga deputetët edhe në Kuvend.
Unë kam qenë pro ngujimit por kundërshtohet sepse mendohet çfarë do të arrihet nga kjo. Ka edhe deputetë të tjerë që janë pro këtij skenari. Kur Niko Peleshi nuk na dha fjalën në nisje të sesionit mund të shkohej në zyrën e tij e më pas të ngujoheshim në Kuvend. Grupi vendosi kundër këtij skenari. Kishim informacionet tona çfarë po ndodhte me Ballukun. Duke qenë se situata po agravonte menduam se do të kishte të tjera mundësi për t’u ngujuar. Por ky skenar mbetet ende në tavolinë”, tha ai.
and then