
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur konferencë për media në ditën e parë të grumbullimit të ekipit, në prag të ndeshjes gjysmëfinale të “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026 ndaj Sllovakisë, që zhvillohet të enjten në Bratisllavë.
Fillimisht menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala bëri të ditur se ekipit si lojtar i 25-të në listën e publikuar ditë më parë i është bashkuar edhe Leard Sadriu, derisa për shkak të lëndimeve mungojnë Amir Rrahmani, Leon Avdullahu, Leart Paqarada dhe Muharrem Jashari.
Foda theksoi se ekipi nuk ka shqetësime para kësaj përballjeje, por është plotësisht i vetëdijshëm për vështirësinë e sfidës.
“Nuk kemi ndonjë shqetësim sa i përket ndeshjes me Sllovakinë. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë ndeshje e lehtë. E dimë që Sllovakia ka ekip shumë të mirë dhe kur e ka topin di të luajë shumë mirë. Megjithatë, kemi shumë besim në ekipin tonë. Kemi treguar kualitetin dhe kemi dëshmuar se edhe si mysafir mund të luajmë mirë dhe të fitojmë ndeshje”, u shpreh ai.
Përzgjedhësi bëri të ditur se skuadra do të shfrytëzojë maksimalisht ditët në dispozicion për përgatitje, me synimin e qartë për të arritur finalen.
“Në tri ditët e ardhshme do të përgatitemi shumë mirë. E duam finalen në shtëpi dhe do të bëjmë çdo gjë për të fituar në Bratisllavë ndaj Sllovakisë”, theksoi Foda.
Duke folur për mungesat në skuadër, si Amir Rrahmani e Leon Avdullahu ai veçoi rëndësinë e alternativave në dispozicion.
“Sigurisht që mungesat e këtyre lojtarëve kanë rol të rëndësishëm. Lojtarë si Amir Rrahmani, i cili është kapiten dhe një personalitet shumë i rëndësishëm në aspektin e lidershipit, si dhe Leon Avdullahu si mesfushor, që është një strateg i madh, janë mungesa të ndjeshme.
Megjithatë, i kemi bërë kalkulimet tona dhe besoj se do të bëjmë zgjedhjet e duhura. Edhe në të kaluarën kemi qenë në gjendje t’i zëvendësojmë lojtarët e rëndësishëm dhe gjithmonë ata që janë aktivizuar në fushë kanë treguar se e kanë merituar vendin këtu. Shpresojmë që edhe kësaj radhe të arrijmë fitoren. Demaku është në nivel të mirë dhe ka pasur disa ndeshje shumë të mira. Kemi edhe lojtarë të tjerë për ta mbuluar mungesën e Leon Avdullahu. Janë Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija, Valon Hoxha dhe Lindon Emërllahu. Do të vendosim me kujdes për zgjidhjet më të mira për skuadrën”, deklaroi ai.
Foda nënvizoi se për të mbetet thelbësore suksesi i ekipit dhe progresi i vazhdueshëm që ka bërë Kombëtarja që nga marrja e drejtimit prej tij.
“Për mua është e rëndësishme që ekipi të fitojë. Kjo skuadër është zhvilluar vazhdimisht prej se jam këtu. E kemi këtë eufori momentale dhe është shumë e rëndësishme që prej minutës së parë të jemi të bashkuar. Duhet të bëjmë çdo gjë për ta fituar ndeshjen, qoftë për 90 minuta, 120 minuta apo edhe në penallti”, theksoi ai.
Duke iu referuar rrugëtimit deri në këtë fazë, Foda kujtoi sfidat e mëhershme dhe shprehu optimizmin që ekipi i tij mund të shkruajë histori.
“Kur kemi hyrë në grupe, e kemi parë se ishin shumë të vështira. Ishte ëndërr të kalonim fazën e grupeve, ndërsa qëllimi ishte të arrinim të paktën në ‘play-off’. Tani jemi këtu dhe mund të shkruajmë histori. Duhet ta kemi parasysh që Sllovakia e ka mposhtur edhe Gjermaninë në shtëpi, prandaj ka cilësi. Megjithatë, ne do ta përfaqësojmë Kosovën denjësisht”, u shpreh përzgjedhësi.
Ai shtoi se motivimi në ekip është në nivel të lartë dhe se detajet do të jenë vendimtare në këtë përballje.
“Lojtarët janë shumë të motivuar dhe po mbizotëron një shpirt i fortë luftarak. Detajet do të jenë përcaktuese dhe të enjten vendoset gjithçka”, deklaroi Foda.
I pyetur për rolin e favoritit që i atribuohet Sllovakisë, ai u shpreh i prerë: “Ndeshjet vendosen në fushë, e jo në letër”.
Ndërkaq, rreth asaj nëse janë duke menduar edhe për penalltitë, Foda u shpreh: “Jemi përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm në këtë ndeshje. Në këto stërvitje bëjnë pjesë edhe ushtrimet e penalltive. Ne e kemi analizuar shumë mirë kundërshtarin, andaj kemi përgatitur gjithçka. Por ushtrimet e penalltive dhe ekzekutimi i tyre në ndeshje janë krejtësisht të ndryshme, megjithatë kemi një ide edhe se kush do t’i gjuajë ato”.
Në fund, përzgjedhësi vlerësoi lart mbështetjen e tifozëve “Dardanët”, duke theksuar rëndësinë e tyre për ekipin.
“Kemi shumë respekt për tifozët tanë, “Dardanët” dhe u jemi tej mase mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen që kemi pasur në të gjitha ndeshjet, sidomos në ndeshjet jashtë Kosovës. Është e pabesueshme sa shumë kanë udhëtuar. Tifozët na japin energji shtesë me mbështetjen e tyre. Në fazat e mira të lojës gjithçka është më e lehtë, por në momentet më të vështira futbollistët mund ta humbin fokusin. Prandaj, mbështetja e tyre na jep çdo herë ndjesinë sikur të jemi duke luajtur në shtëpinë tonë”, përfundoi Foda.
and then