
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme dhe të strukturuar nga qeveria shqiptare, në kushtet e zhvillimeve të fundit ndërkombëtare, pas deklarimit të armëpushimit dhe nisjes së bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit, që ndikuan në luhatjet e çmimeve të naftës.
I ftuar në studion e News24, Preçi theksoi se qeveria duhet të analizojë menjëherë sektorët më të prekur dhe të ndërmarrë masa të targetuara për secilin prej tyre.
Sipas tij, nëse ndikohet transporti, duhet të garantohet subvencionimi i karburanteve në rast se tregu nuk vetërregullohet. Ndërsa për bujqësinë, ai sugjeroi mbështetje direkte për inputet si plehrat kimike, duke theksuar se pa to nuk ka prodhim dhe konkurrueshmëri.
“Masat duhet të lidhen drejtpërdrejt me grupet që preken, qoftë transporti, bujqësia apo industria,” u shpreh ai, duke shtuar se në planin afatmesëm dhe afatgjatë, vëmendja duhet të zhvendoset drejt zhvillimit të industrive përpunuese.
Preçi solli si shembull Kroacia, e cila po investon në modernizimin e rafinerive, ndërkohë që prodhon më pak naftë se Shqipëria. Sipas tij, mungesa e politikave të qarta ka bërë që vendi ynë të jetë i varur nga zhvillimet ndërkombëtare.
Ai theksoi gjithashtu se çmimet më të ulëta të karburanteve në vende si Maqedonia e Veriut dhe Kosova lidhen me një sistem fiskal më të thjeshtë dhe më efikas.
Në analizën e tij, Preçi ngriti shqetësimin për mungesën e politikave pro prodhimit vendas, duke theksuar se Shqipëria nuk po shfrytëzon potencialet e saj ekonomike. Ai kritikoi faktin që prioritetet e investimeve publike nuk janë orientuar drejt sektorëve prodhues, ndërsa bujqësia dhe blegtoria janë lënë pas dore.
“Një vend nuk mund të zhvillohet duke u mbështetur te mundi i vendeve të tjera,” tha ai, duke shtuar se mungesa e politikave për prodhimin vendas mbetet një nga problemet më të mëdha të të gjitha qeverive shqiptare pas vitit 1991.
Sipas Preçit, për të përballuar kriza të tilla dhe për të garantuar stabilitet ekonomik, Shqipëria duhet të ndërtojë politika afatgjata që mbështesin prodhimin, rrisin konkurrueshmërinë dhe reduktojnë varësinë nga tregjet ndërkombëtare.
and then