
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka akuzuar qeverinë për mungesë reagimi ndaj rritjes së çmimeve, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e organizuar nga PD përpara Kryeministrisë në Tiranë.
Bozdo deklaroi se rritja e çmimeve, veçanërisht në javët e fundit, po ndjehet nga të gjithë qytetarët, ndërsa vendet e tjera të Europës dhe rajonit po ndërmarrin masa konkrete për të mbështetur ekonominë dhe familjet.
“Sot e vuajmë të gjithë rritjen e çmimeve. Çdo ditë dëgjojmë se si qeveritë europiane miratojnë paketa ndihme për qytetarët e tyre. Ndërsa në Tiranë nuk ndodh asgjë, vetëm një tallje e madhe,” u shpreh ai.
Deputeti demokrat kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për mungesë vendimmarrjeje dhe masa konkrete. Sipas tij, qeveria nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje për situatën dhe nuk ka ndërhyrë për të lehtësuar barrën ekonomike të qytetarëve.
Ai theksoi gjithashtu se çmimet e ushqimeve bazë po rriten nga dita në ditë, ndërsa qytetarët shqiptarë, sipas tij, janë ndër më të papërfillurit për shkak të mungesës së politikave mbështetëse.
Duke u ndalur te çmimi i karburanteve, Bozdo u shpreh se Shqipëria ka një nga ngarkesat më të larta fiskale në Europë për naftën, duke shtuar se rreth 60% e çmimit të saj përbëhet nga taksat që i rikthehen qeverisë.
and then