
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Studio24 në News24 ka zbuluar detaje të reja mbi një vendim të GJKKO që lidhet drejtpërdrejt me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Lalës, vendimi është marrë më 19 mars nga gjyqtari i posaçëm Erion Çela dhe i hap rrugë SPAK për të zbërthyer celularët dhe pajisjet elektronike të personave të lidhur me Ballukun.
Ajo bëri me dije se kjo vendimmarrje prek drejtpërdrejt hetimet ndaj ish-numrit dy të qeverisë, duke kujtuar se që prej dhjetorit 2025 dhe janarit 2026, me vendim të GJKKO, agjentët e BKH kanë ushtruar kontrolle në banesa dhe ambiente personale të personave të konsideruar si të afërt me Ballukun.
Mes tyre, sipas gazetares, janë edhe ish-vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Njëkohësisht, prokurorët e SPAK kanë marrë autorizim për të kontrolluar edhe celularët e disa biznesmenëve në vend, përfshirë Arbër Abazin dhe Ilir Shtufin, të cilët, sipas SPAK, kanë përfituar tendera gjatë kohës që Balluku ushtronte detyrën.
Lala theksoi se deri më 19 mars, celularët dhe kompjuterët e sekuestruar nuk ishin zbërthyer për shkak të një vendimi të Gjykata Kushtetuese, i cili detyronte SPAK që të merrte paraprakisht miratimin e gjykatës për aksesimin e tyre.
“Për shkak të këtij vendimi, SPAK nuk kishte të drejtë të hynte në të dhënat e pajisjeve pa një leje të posaçme nga gjykata. Për këtë arsye, prokurorët iu drejtuan GJKKO-së për të marrë autorizimin përkatës,” u shpreh gazetarja.
Sipas saj, pas kërkesës së SPAK, gjyqtari ka shqyrtuar provat dhe ka dhënë miratimin për aksesimin e të gjithë pajisjeve elektronike të sekuestruara në zyra dhe banesa të personave të përfshirë në hetim.
and then