Situata në opozitë/ Zekthi: Salianjit s’mund t’i mohohet e drejta për të garuar, vetëpërjashtimi s’ka kuptim! Korreshi: Çdo njeri është i vlefshëm në PD

Analisti Fitim Zekthi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike, duke u ndalur te përplasjet mes lidershipit dhe ish-deputetit Ervin Salianji, për të cilin është thënë se është vetëpërjashtuar nga partia pas një nisme me takime me qytetarë në të gjithë vendin.

Gjatë diskutimit në studio me deputetin e PD-së Saimir Korreshi, fokusi ishte edhe te perspektiva e garës për kryetarin e partisë, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 23 maj.

Zekthi theksoi se e drejta për të garuar nuk mund t’i mohohet askujt: “Nuk mund të mohohet e drejta për të garuar. Ai ka thënë që do të garojë.”

Nga ana e tij, Korreshi u shpreh se procedurat duhet të ndiqen normalisht: “Po le të kandidojë. E njohim të dy partinë, ço letrën një herë dhe merr përgjigje. Pse duhet të zihen pa çuar një letër, një gjë.”

Duke u ndalur te debati për vetëpërjashtimin e Salianjit, Zekthi vlerësoi se një koncept i tillë nuk qëndron: “Nuk e di çfarë do bëjë ai se i di punët e veta, por ideja që është i vetëpërjashtuar nuk ka kuptim. Nuk është si koncept as juridikisht, as në statut, është një objekt politik i paidentifikueshëm.”

Ndërkohë, Korreshi e cilësoi situatën si të panevojshme për debat, duke theksuar edhe raportin personal me Salianjin: “Për mua është një gjë që nuk ja vlen të diskutohet. Unë si jurist do përgjigjesha. Në momentin që e bëri Ervini, kemi qenë shokë jete, dhe ai sa vuajti dënimin padrejtësisht, unë i kam vajtur 10-12 herë. Robi bën një telefonatë. Nis një gjë, nuk e di si e nis një gjë kur nuk ka një gjë. Dhe thotë po marr këta çunat e tjerë dhe ne të tjerët qenkemi pa vlerë. Kjo frymë ndoshta më ka irrituar mua si shok. Dhe unë them mendimin tim nëse mund ta jap. Ligjërisht, Salianji po nuk dorëzoi letrat për të kandiduar, nuk mundet. Të çojë letrën, pastaj merret vesh. Bëj një vendimmarrje, nuk mund ta bësh kështu nga larg.”

Zekthi shtoi se funksionimi i demokracisë brenda partisë duhet të bazohet te respektimi i garës: “Demokracia, se jemi në PD, funksionon duke respektuar edhe të jesh tek ‘pull’. Aty duket demokracia, edhe një votë të ketë Salianji duhet të respektohet. Nuk funksionon kështu një parti e djathtë, me vetëpërjashtime.”

Në fund, Korreshi u shpreh se çdo individ ka vlerë për Partinë Demokratike, duke përfshirë edhe figura të mëparshme: “Për mua çdo njeri është i vlefshëm në PD. Edhe Lulzim Basha po të kthehet, neve na duhen edhe ata komunistët e mërzitur me këtë qeveri”.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×