“Evis Berberi mori me vete Ballukun, ja si bashkëpunoi me drejtësinë”, Toska zbulon detajet: SPAK do ngrejë akuzë të re për ish-zv/kryeministren!

Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka bërë deklarata të forta lidhur me veprimtarinë e SPAK dhe hetimet ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Sipas tij, Evis Berberi është “njeriu kyç” në këtë çështje, duke shtuar se ai “mori me vete Belinda Ballukun”. Toska deklaroi se Berberi kishte pritur një lehtësim apo shpëtim nga drejtësia përmes ndikimit të Ballukut, por kjo nuk ndodhi.

“Evis Berberi është njeriu kyç që mori me vete Belinda Ballukun. Është njeriu që priste një lehtësim apo shpëtim nga drejtësia me ndikimin e Ballukut, priti për shumë kohë dhe ndihma nuk i erdhi,” u shpreh Toska.

Ai zbuloi gjithashtu detaje nga një takim në burg mes prokurorit Dritan Prençi dhe Berberit, ku ky i fundit është treguar bashkëpunues me drejtësinë.

“Në një takim në burg që ka bërë prokurori Dritan Prenci me të, kur e ka marrë në pyetje Berberin, ai u tregua bashkëpunues i drejtësisë. Ai ka orientuar ku ndodhej telefoni Blackberry ku kishte ruajtur bisedat që implikonin Ballukun. Blackberry që orientoi ai është gjetur me orientimin e tij,” tha gazetari.

Sipas Toskës, përmbajtja e komunikimeve është komprometuese dhe lidhet me çështje tenderash.

“Nëse lexojmë bisedimet që ka bërë me Ballukun, ku flasin për tenderat, ai është njeri që ka kryer korrupsion madhor, por bashkë me të ka kryer korrupsion me Belinda Ballukun,” u shpreh ai.

Gazetari komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Berberin, duke thënë se ishte i pritshëm.

“Vendimi i sotëm i GJK pritej sepse Berberi nuk mund të fitojë lirinë kur është kapur me prova për abuzime. Ka qenë më i besuari i Ballukut dhe shumica e tenderave korruptivë janë bërë në kohën që ai drejtonte ARRSH,” deklaroi Toska.

Duke u ndalur te dosja ndaj Ballukut, ai tha se priten zhvillime të reja dhe akuza shtesë.

“Lidhur me dosjen Balluku kemi shumë të reja. I kam përmendur me emra njerëzit që kanë përfituar tendera të paracaktuar nga Balluku. Këta janë oligarkë që kanë përfituar me paracaktim të orientuar nga Balluku,” tha ai.

Toska shtoi se hetimet mund të thellohen përmes analizës së komunikimeve telefonike.

“Unë e kam thënë publikisht se SPAK do shkonte drejt zbërthimit të telefonave për të zbuluar akuzë të re për Ballukun, përveç pabarazisë në tendera, ajo do marrë akuzën e re që është për korrupsion nga SPAK,” u shpreh gazetari.

Në fund, ai theksoi se, sipas tij, SPAK po ndjek një strategji të kujdesshme në hetim.

“Mendoj se SPAK po luan një lojë strategjike, po merr hapat ngadalë, po kryejnë punën, presionet kanë mbaruar, Balluku është ezauruar politikisht,” përfundoi Toska.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×