“Tregjet kontrollohen me marrëveshje të fshehta, dëmtohen qytetarët”, Berisha: Kemi taksën më të lartë për naftën në Europë, ndoshta edhe në botë!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj funksionimit të tregjeve në vend, duke deklaruar se oligopolet po dëmtojnë konkurrencën dhe qytetarët, përmes marrëveshjeve të fshehta dhe abuzimit me çmimet.

Gjatë një deklarate në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se shteti duhet të garantojë mbrojtjen e qytetarëve nga “abuziviteti potencial” i këtyre marrëveshjeve, duke përmendur si shembuj tregun e hidrokarbureve, mishit dhe sheqerit.

Sipas tij, ndonëse këto tregje operojnë me kompani të licencuara, licencat nuk po shërbejnë për të rregulluar konkurrencën, por përkundrazi, në shumë raste, kompanitë bashkëpunojnë në mënyrë të fshehtë për të asgjësuar garën e ndershme.

“Oligopoli është një formë e ndërmjetme mes konkurrencës dhe monopolit, por në Shqipëri ai po kthehet në një veprimtari antiqytetare”, deklaroi Berisha, duke shtuar se këto struktura ekonomike favorizohen nga qeveria.

Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se oligopolet “blejnë favore” në nivele të larta të qeverisjes, ndërsa qytetarët përballen me çmime të larta dhe mungesë mbrojtjeje.

Në fokus të kritikave ishin edhe taksat mbi karburantet, të cilat Berisha i cilësoi si ndër më të lartat në Europë dhe potencialisht në botë. Ai krahasoi çmimet me SHBA-në, duke theksuar se një litër karburant atje shitet rreth 1 dollar, ndërsa në Shqipëri vetëm taksa arrin në 1.1 dollarë.

Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet “partia më pro-biznes”, duke propozuar një model me taksë të sheshtë 10%, si dhe duke paralajmëruar se do të identifikojnë dhe denoncojnë institucionet e korruptuara që, sipas tij, janë kapur nga interesat e oligopoleve.

Në fund, ai ngriti shqetësimin për mungesën e mbrojtjes së konsumatorit, duke akuzuar institucionet përgjegjëse për mosveprim dhe duke theksuar se qytetarët po dëmtohen në çdo aspekt të jetesës, nga ushqimet deri te shërbimet bazë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×