
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë 4 në Tiranë, ku ka kërkuar mobilizim të plotë për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe forcim të organizimit të brendshëm të partisë.
Rama theksoi se suksesi elektoral i PS, sipas tij, vjen nga organizimi dhe komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët, duke kujtuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare me 83 mandate. “Fitojmë sepse jemi forca më e madhe dhe më e organizuar në vend”, u shpreh ai, duke nënvizuar se çdo fitore kërkon punë të vazhdueshme dhe jo vetëkënaqësi politike.
Një pjesë të rëndësishme Rama ia kushtoi reformës në drejtësi, të cilën e cilësoi si një nga arritjet kryesore që i atribuohen Partisë Socialiste. Ai tha se pavarësimi i sistemit të drejtësisë ishte një objektiv historik i parealizuar më parë në Shqipëri, ndërsa PS e ka çuar përpara.
Kryeministri foli gjithashtu për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke theksuar ritmin e shpejtë të hapjes së kapitujve negociues dhe bashkëpunimin me institucionet europiane. Ai e konsideroi këtë një tregues të progresit institucional të vendit.
Në fokus të fjalës së tij ishte edhe ekonomia dhe tregu i energjisë, ku Rama përmendi problemin e çmimeve të karburanteve dhe njoftoi për nisma të reja në sektorin e naftës. Ai deklaroi se qeveria po bashkëpunon me një kompani ndërkombëtare nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të zhvilluar një sistem të ri gjurmimi dhe kontrolli të naftës, me qëllim formalizimin e tregut dhe luftimin e kontrabandës.
“Ne sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por që është problem edhe përtej krizës. Ajo kriza e shkaktuar në Ngushticën e Hormuzit e ka rritur çmimin gjithandej etj, por ne kjo na gjen në kohën kur ne kishim filluar që do hyjmë në tregun e naftës me një faktor publik, një kompani publike. Dhe pse? Në atë kohë nuk kishte lufte. Do hyjmë që të garantojmë që qytetarët, konsumatorët tanë të karburanteve, nuk detyrohen të paguajnë më shumë se sa u takon. Dhe për të siguruar që rezerva të jetë. Kemi pasur një naftë që markohej, i vendosej një komponent kimik për të identifikuar atë që hyn ligjërisht, jo kontrabandë. Ne u përpoqëm ta rregullojmë sa mundeshim. Ishte bojë që hollohej kollaj apo sajohej kollaj. Tani me kompaninë publike që kemi krijuar, bashkë me të njëjtën kompani që ka shteti në Emiratet e Bashkuara Arabe, do nxjerrim për 1-2 muaj një tjetër ngjyrues që është i pa manipulueshëm dhe do ndihmojë për të formalizuar tregun e naftës sepse nga analizat që bëjmë ka një sasi nafte jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh është nafta tranzit, që hyn këtu për të shkuar në vendet e tjera fqinje dhe një pjesë e saj mbetet këtu ilegalisht. Edhe për këtë kemi një produkt me të njëjtën kompani për të ndjekur gjithë naftën tranzit”, tha Rama.
and then