
Sot në orën 20:00 kanë hyrë në fuqi çmimet e reja tavan për shitjen e nënprodukteve të naftës në vend, të miratuara nga Bordi i Transparencës.
Këto çmime reflektojnë dhe uljen e fundit të akcizës me 20%.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin (standard SSH EN 590) është përcaktuar të jetë jo më shumë se 224 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 212 lekë/litër. Autoritetet bëjnë të ditur se ulja e akcizës, së bashku me efektin e TVSH-së, përkthehet në një reduktim prej rreth 9.5 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është caktuar 181 lekë/litër, ndërsa me shumicë 169 lekë/litër.
Vendimi do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Bordi i Transparencës u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve që të zbatojnë me përpikëri çmimet e përcaktuara. Në të kundërt, paralajmërohet se shkeljet do të shoqërohen me masa të rrepta, deri në pezullim të aktivitetit.
and then