
Me grupin e plotë, mbi të gjitha me rikthimin e Martinez, Inter është në një tjetër nivel, me ekipin e Chivu-t që rikthehet te fitorja, për më tepër me spektakël duke “çmontuar” Roma me rezultatin e thellë 5-2. Pauza që sollën ekipet përfaqësuese erdhi si një bekim për zikaltërit, dukshëm në top formë, ku njeri i ndeshjes ishte Martinez, me kapitenin që realizoi një “dopietë” golash.
Vetëm një minutë lojë i mjaftoi për të tundur rrjetën e Romës, i shërbyer në zonë nga Thuram. Pas një goditje të fortë, ende pa nisur mirë loja, ekipi i Gasperinit u përmend dhe në minutën e 40-të Mancini rikthehu baraspeshën me një goditje të saktë me kokë brenda në zonë. Pjesa e parë nuk kishte fund, pasi në shtesë, Hakan Calhanoglu realizoi një super gol, me regjisorin turk që lëshoi një predhë të vërtetë nga distanca duke tundur rrjetën, një gol me të vërtetë për katalog.
Fraksioni i dytë, nuk kishte shumë histori, me Inter që kishte kontrollin total të lojës ku brenda 3 minutash realizuan dy gola të shpejtë. Me një kundërsulm të bukur, Thuram shërbeu edhe një herë për Martinez, me kapitenin që me një goditje të saktë brenda në zonë realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Inter. Tre minuta më vonë ishte radha e Thuram, me francezin që këtë herë në shtyllën e parë me një goditje të bukur me kokë kompletoi pokerin zikaltër. Inter nuk u mjaftua me kaq, vetëm me menaxhimin e rezultatit pasi në minutën e 63-të ishte Barella që insistoi në zonë duke realizuar golin e 5-të. Roma u përpoq të rikthehej në lojë, por goli i Pellegrini-t kishte vlerë vetëm për statistika pasi festa në fund ishte e gjitha për ekipin zikaltër që kalon presionin te ndjekësit, Milan e Napolit, duke ndjekur sfidën ndërmjet tyre i qetë në krye, plus 9 pikë.
Nuk e fshehu gëzimin për këtë sukses të madh trajneri Chivu: “Qasja e ekipit, mbi të gjitha në pjesën e dytë ishte optimale, e mbyllëm ndeshjen me dy gola të shpejtë në pjesën e dytë. Jam shumë i kënaqur për Martinez, Thuram, Barella e Dumfries, zhvilluan një pjesë të dytë fantastike”, u shpreh ndër të tjera Chivu pas suksesit 5-2 përballë Romës.
and then