“Berisha nuk mbajti premtimet që dha kur u rikthye, lidershipi i PD s’merr përgjegjësi “, Baçi: S’kanë dhënë asnjë fakt për akuzat e ngritura ndaj Salianjit

Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, duke ngritur kritika të forta ndaj lidershipit aktual dhe mënyrës se si po funksionon opozita.

Baçi u ndal te rikthimi në politikë i Sali Berishës në vitin 2021, duke theksuar se shumë persona i besuan premtimeve të tij, të cilat sipas tij nuk u realizuan.

“Shumë vetë i besuan Berishës kur u rikthye në vitin 2021 se premtoi ato gjëra që kishte akuzuar Bashën. Tha që do bashkojë opozitën, nuk e bëri, tha do respektojë primaret, në disa raste të qarta nuk e bëri, tha që do heqë Ramën për disa muaj, nuk e bëri. Tha do respektojë nenin Basha, që me humbjen e zgjedhjeve do largohet kryetari. Berisha është para qytetarëve si një njeri që nuk garanton atë që thotë,” u shpreh ai.

Sipas Baçit, pavarësisht situatës, PD mbetet një forcë e madhe politike që ka potencial për t’u rigjeneruar, por kjo kërkon reagim konkret nga strukturat drejtuese.

“PD është parti e madhe që mund të rigjenerohet sepse ka shumë njerëz, forca, zëra etj. Nëse Kryesia, Grupi Parlamentar, etj shkojnë dhe nuk ngrenë problematikat dhe kur votohet nuk janë askund, kur nuk bëjnë asgjë kundër një pushteti që thonë se vjedh zgjedhjet, nuk është askund. Opozita duhet të largohet nga politika e dekurajimit që thotë edhe vetë,” deklaroi analisti.

Ai theksoi nevojën për një qasje të re në opozitë, me figura të papërfshira në akuza dhe me fokus tek përfaqësimi real i qytetarëve.

“Një qasje krejt tjetër nevojitet me njerëz që nuk kanë akuza në shpinë për të shkuarën dhe një qasje që bën zërin e qytetarëve të dëgjueshëm dhe respektohet ajo që thuhet. Pa ide, pa debat ideologjik, pa transparencë, pa një raport ku votuesi të shikojë si një lëvizje krejt tjetër që ke sot instrumentin për të zëvendësuar qeverinë, është e vështirë të themi që opozita është në rrugën e duhur,” tha Baçi.

Në vijim, ai u ndal edhe te çështja e ish-deputetit Ervin Salianji, duke deklaruar se nuk ka parë prova konkrete ndaj tij për akuzat e ngritura nga lidershipi i PD.

“Nuk kam parë deri sot asnjë fakt ndaj Salianjit për gjërat që i kanë thënë. Për mua PD nuk po rrok dot situatën për një qasje tjetër, lidershipi nuk po merr përgjegjësi për situatën ku është,” u shpreh ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×