
Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj, në përmbyllje të vizitës zyrtare në Parlamentin e Suedisë (Riksdag), zhvilloi një takim me Kryetarin e Grupit të Miqësisë me Ballkanin Perëndimor, Denis Begic, si dhe me deputetët anëtarë të këtij grupi, Magnus Jakobsson, Björn Söder, Viktoria Tiblom, Aida Birinxhiku dhe Carina Ödebrink.
Gjatë këtij takimi, Gjekmarkaj shprehu kënaqësinë e veçantë që në përbërje të Parlamentit suedez janë edhe dy deputetë shqiptarë, ashtu si edhe dy eurodeputetë të Suedisë në Parlamentin Evropian. Ai e cilësoi këtë si një dëshmi kuptimplotë të integrimit të komunitetit shqiptar në nivelet më të larta institucionale, duke theksuar se kjo forcon më tej lidhjet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe shoqërive përkatëse.
Në bashkëbisedimin me homologët suedezë, ai ndau disa nga shqetësimet kryesore të opozitës dhe shoqërisë shqiptare, të lidhura me mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, cenimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet politike të mazhorancës, si dhe degradimin e parlamentarizmit përmes shkeljes së përsëritur të të drejtave të anëtarëve të opozitës.
Megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve që i cilësoi si të mprehta, Gjekmarkaj shprehu bindjen e tij të thellë se rruga e vetme për Shqipërinë mbetet integrimi i shpejtë dhe i plotë në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ky proces përbën një mundësi efektive për të vijuar reformimin dhe progresin e vendit brenda familjes evropiane.
Ai theksoi gjithashtu se ishte inkurajuese të dëgjonte që, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme mbi çështjet e brendshme, të gjitha partitë politike në Parlamentin e Suedisë mbështesin dhe advokojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ai vlerësoi gatishmërinë e tyre për të ofruar asistencë konkrete në këtë proces, i cili tashmë ka hyrë në një fazë kritike.
Në përfundim, Gjekmarkaj shprehu mirënjohjen e tij ndaj Kryetarit Denis Begic, deputetes shqiptare Aida Birinxhiku dhe të gjithë anëtarëve të Grupit të Miqësisë me Ballkanin Perëndimor për mikpritjen, diskutimin miqësor dhe përkushtimin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet parlamenteve dhe popujve të dy vendeve.
and then