
Altin Bytyçi rezulton futbollisti më i ndëshkuar i Partizanit për sezonin që sapo u mbyll, duke konfirmuar edhe njëherë rolin e tij në repartin difensiv të skuadrës së kuqe.
Mbrojtësi koleksionoi plot 11 kartonë të verdhë dhe dy kartonë të kuq në 32 ndeshje sezonale me Partizanin, statistikë që e vendos në krye të lojtarëve më të ndëshkuar të ekipit. Megjithatë, ky bilanc konsiderohet disi normal duke parë pozicionin që mbulon në fushë dhe ngarkesën që ka pasur gjatë gjithë sezonit. Bytyçi ishte një nga futbollistët më të aktivizuar nga trajnerët e Partizanit dhe në shumë raste iu desh të ndalte aksionet e kundërshtarëve edhe me ndërhyrje të forta.
Mbrojtësi u kthye në një pikë të rëndësishme të repartit difensiv, teksa ishte pothuajse gjithmonë titullar dhe ndër lojtarët më të besuar të skuadrës. Përveç aspektit mbrojtës, Bytyçi tregoi edhe personalitet në fushë, duke marrë shpesh përgjegjësi në momente të vështira për ekipin. Së bashku me portierin Pano Qirko dhe sulmuesin Rrok Toma, ai rezulton ndër futbollistët më të aktivizuar të Partizanit gjatë kampionatit.
Të tre konsiderohen pjesë e rëndësishme e organikës së skuadrës dhe elementë mbi të cilët klubi synon të ndërtojë edhe sezonin e ardhshëm. Pavarësisht luhatjeve të skuadrës gjatë kampionatit, Bytyçi arriti të ruajë vazhdimësinë në formacion dhe të jetë një nga lojtarët më konstantë të ekipit. Në klub vlerësojnë eksperiencën dhe kontributin e tij, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ndërtohet reparti mbrojtës për sezonin e ri.
Pas një sezoni të mbyllur jashtë objektivave madhorë, Partizani pritet të bëjë disa ndryshime në merkato, por lojtarë si Bytyçi konsiderohen pjesë e rëndësishme e bazës së skuadrës për të ardhmen.
and then