
“Jam argëtuar pafund. Makina ishte fantastike në çdo xhiro”. Që podiumi i arritur nga Luis Hamilton në Kanada kishte një vlerë të veçantë, u kuptua menjëherë kur britaniku iu drejtua skuadrës së tij në italisht përmes radios: “Faleminderit të gjithëve! Ky është rezultati që meritojmë!”. Në fakt, piloti i Ferrarit dukej më në fund plotësisht në harmoni me makinën “SF-26”, aq sa tashmë ndodhet vetëm 3 pikë larg shokut të skuadrës Sharl Lëklrek në renditje, me besim dhe shifra shumë ndryshe nga ato të sezonit të kaluar. Por çfarë ka ndryshuar?
PËRGATITJA
Kishte kohë që nuk shihej një Hamilton i tillë, agresiv në pistë, i jashtëzakonshëm dueli që e pa të triumfonte ndaj Vershtapenit për vendin e dytë, dhe entuziast pasi zbriti nga makina, me përqafime dhe shtrëngim duarsh me rivalin historik holandez. “Nuk di as t’ju shpjegoj sa shumë më është dashur të punoj për të arritur në këtë pikë”, tregoi britaniku. Megjithatë, një shpjegim ekziston, që para Çmimit të Madh, Luis kishte zbuluar se nuk ndihej rehat me simulatorin e Ferrarit, aq sa vendosi të mos e përdorte gjatë përgatitjeve për fundjavën kanadeze. Një zgjedhje që e kishte bërë edhe në Kinë, ku, jo rastësisht, kishte marrë podiumin e vetëm tjetër të këtij sezoni. “Jam një pilot i shkollës së vjetër. Dy rezultatet e mia më të mira këtë vit kanë ardhur pa simulator dhe në të gjitha kampionatet e mëparshme, me përjashtim ndoshta të vitit 2008, nuk e kam përdorur kurrë”. Dhe duket se Hamilton është bindur të mos përdorë “pistën virtuale” të Maranelos as për garat e ardhshme: “Nuk do ta bëj, është shumë e rrezikshme dhe ia dal më mirë pa të”. Por askush nuk duhet të mendojë se mes Luisit dhe simulatorit historia ka përfunduar: “Dua ta ndihmoj skuadrën të kuptojë cilat janë problemet”, shpjegoi ai. “E di që pilotët testues thonë se gjithçka funksionon si duhet, por vetëm unë dhe Lëklerk mund ta themi vërtet, sepse ne jemi ata që hipim në makinë”.
RAPORTI ME INXHINIERIN
Ndërsa pret të zgjidhen problemet e koordinimit me fabrikën, Hamilton po shijon rezultatin e tij më të mirë në garë që prej mbërritjes te Ferrari, duke i kushtuar një falënderim të veçantë Karlo Santit, i cili që nga Australia e shoqëron si inxhinier i ri i pistës: “Është absolutisht fantastik, më pëlqen shumë të punoj me të”. Edhe pse prania e Santit në radio duhej të ishte vetëm e përkohshme, duket se në Maranelo nuk ka shumë nxitim për të promovuar të sapoardhurin nga MekLaren, Sedrik MishelGroszho, të cilin Hamilton gjithsesi e vlerësoi: “Më ka ndihmuar shumë për të nxjerrë më shumë performancë nga makina. Bëmë disa ndryshime në konfigurim dhe arrita të sulmoj çdo kthesë ashtu siç doja”.
SHENJA KONFIRMIMI
Por nuk është vetëm tandemi Santi–Grosjean që po funksionon, pasi Hamilton duket se ka gjetur më në fund te “SF-26” një makinë të përshtatshme për stilin e tij të pilotimit: “Makina shkonte në mënyrë fantastike. Ndjeja se mund të shtyja në çdo xhiro dhe ta bëja këtë në një pistë si Montreali ishte thjesht e jashtëzakonshme”. Meritë ka edhe drejtuesi i skuadrës, Vasër, i cili ka këmbëngulur gjithmonë se britanikut i duhej kohë për të sjellë mentalitetin e tij fitues në skuadër: “Fred Vasër më ka mbështetur jashtëzakonisht shumë dhe edhe një herë bëri gjithçka që të ndihesha rehat. Ai ka lëvizur malet për mua dhe kjo po reflektohet gradualisht në performancat e mia”. A e ka gjetur Hamilton sërish veten? Është ende herët për ta thënë. Kina dhe Kanadaja kanë qenë gjithmonë pista të preferuara për britanikun, i cili tani duhet të konfirmohet me nisjen e sezonit europian. Dhe që në Monako, ku aerodinamika dhe cilësitë mekanike vlejnë më shumë se motori, Ferrari premton të jetë protagoniste.
and then