Russell dhe Antoneli super, Mercedesi e nis me dominim në Azerbajxhan

Mercedes realizoi dje një dopietë të padiskutueshme në sesionin e dytë të provave të lira të Çmimit të Madh të Azerbajxhanit. Xhorxh Rasëll e mbylli ditën e parë të aktivitetit në Baku me kohën më të shpejtë, 1 minutë, 43 sekonda e 347 të mijtat.

Kimi Antoneli pati vetëm rreth gjysmë ore në dispozicion, për shkak të ndërprerjes së sesionit me flamur të kuq. Në Mercedesin e italianit, pas problemit hidraulik të sesionit të parë, u zëvendësua njësia e fuqisë (poëer unit), pa shkaktuar penalizim.

Lideri i kampionatit e mbylli sesionin 552 të mijtat e sekondës pas shokut të skuadrës. Mes Mercedesit dhe Ferrarit u pozicionua Maks Vershtapen me Red Bullin, por holandezi mbeti 827 të mijtat e sekondës pas kreut. Sharl Lëklerk dhe Luis Hamilton plotësuan pesëshen e parë, por të dy ishin mbi një sekondë larg Rasëllit: 1.126 sekonda për monegaskun dhe 1.318 sekonda për britanikun, i cili u fut nën hetim për pengim ndaj Liam Louson.

NORRIS RIKTHEHET NË GRUPIN E PARË

Lando Norris u përmirësua ndjeshëm. Pas problemeve me dyshemenë e makinës që e lanë në vendin e 14-të në FP1, kampioni në fuqi i botës u ngjit në vendin e gjashtë, 1.484 sekonda pas Rasëllit. Mes Norrisit dhe shokut të tij të skuadrës, Oskar Piastri, i cili u rendit i teti, u vendos Pierr Gasli me Alpine-Mercedes. Isak Hadxhar, i rikthyer në aksion me Red Bullin, e mbylli sesionin në vendin e nëntë, 1.521 sekonda pas kohës më të mirë. Ndërsa Esteban Okon, tashmë në një situatë të ndarë me skuadrën Haas, siguroi vendin e fundit në dhjetëshen e parë, me një diferencë prej 1.943 sekondash nga Rasëll.

Flamuri i kuq u shfaq pas rreth 20 minutash aktiviteti, pas një përplasjeje të fortë të Arvid Lindblad në pjesën e ngushtë dhe në ngjitje pranë zonës së kështjellës, pika me karrexhatën më të ngushtë në të gjithë kalendarin e Botërorit. Racing Bulls me numrin 41 pësoi dëmtime të konsiderueshme në anën e djathtë. Piloti britanik, debutues në Formula 1, kishte prekur barrierat edhe gjatë sesionit të parë të provave në mëngjes. Lindblad e mbylli FP2 në vendin e 18- të, ndërsa më mirë u paraqit shoku i tij i skuadrës, Liam Louson, i cili u rendit i 12-ti, megjithëse mbeti 3.044 sekonda pas kohës më të shpejtë.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×