Zjarri përpin masivin me pisha në Gjinar – Flakët shtrihen drejt Pashtreshit, rreth 10 hektarë të përfshirë

Situata paraqitet gjithnjë e më shqetësuese në masivin pyjor me pisha në zonën e Caushit, në Njësinë Administrative Gjinar të Bashkisë Elbasan, ku zjarri i riaktivizuar ka marrë përmasa të mëdha dhe po përhapet me shpejtësi në drejtim të Pashtreshit.

Flakët kanë përfshirë tashmë të paktën 10 hektarë sipërfaqe pyjore, në një terren malor që ndodhet mbi 1400 metra mbi nivelin e detit, ndërsa re të dendura tymi kanë mbuluar zonën dhe janë bërë të dukshme edhe nga disa fshatra të Bashkisë Gramsh.

Zjarri, i cili dyshohet se është shkaktuar nga goditja e rrufesë gjatë mesjavës, fillimisht u shfaq në masivin me pisha në Caush. Por gjatë orëve të para të së dielës, flakët kanë kaluar në anën tjetër të malit ,ndërsa që nga mesnata e fundit kanë përfshirë edhe një pjesë të masivit pyjor në Pashtresh.

Pamjet nga terreni tregojnë një situatë të rënduar, me sipërfaqe të tëra të përfshira nga flakët dhe pemë të shkrumbuara, ndërsa vatrat aktive vijojnë të kërcënojnë pjesë të tjera të masivit pyjor.

Terreni i thyer, i thepisur dhe pothuajse i pakalueshëm e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Në shumë zona automjetet nuk mund të afrohen, duke detyruar ekipet të ndërhyjnë në këmbë dhe me mjete të përshtatura për terren të vështirë.

Për përballimin e situatës janë mobilizuar dhjetëra forca, mes tyre efektivë të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Elbasan, punonjës të bashkisë, forca të shërbimeve publike rurale, banorë të zonës dhe forca të Ushtrisë, të cilat i janë bashkuar operacionit gjatë kësaj fundjave.

Ekipet po punojnë pa ndërprerje për hapjen e brezave mbrojtës, izolimin e vatrave aktive dhe frenimin e përparimit të flakëve drejt sipërfaqeve të tjera pyjore.

Por lartësia, terreni malor dhe mungesa e aksesit rrugor po e vështirësojnë ndjeshëm operacionin. Forcat në terren duhet të përshkojnë distanca të konsiderueshme në këmbë për të mbërritur në vatrat e zjarrit, ndërsa puna manuale mbetet një nga mënyrat kryesore për të penguar përhapjen e flakëve.

Gjatë mëngjesit të kësaj të diele, një pjesë e konsiderueshme e masivit me pisha është përfshirë nga zjarri dhe është shkrumbuar.

Pavarësisht ndërhyrjes intensive gjatë ditëve të fundit, zjarri nuk është mundur të izolohet plotësisht dhe, përkundrazi, është riaktivizuar dhe zgjeruar në sipërfaqe të reja.

Situata po monitorohet me vëmendje të shtuar, ndërsa nuk përjashtohet nevoja për ndërhyrje nga ajri, nëse kushtet dhe përmasat e zjarrit do ta bëjnë të domosdoshme.

Vëmendja e ekipeve është përqendruar veçanërisht në zonat ku ekziston rreziku i riaktivizimit të flakëve, për shkak të materialit të thatë pyjor dhe kushteve të vështira të terrenit.

Operacioni do të vijojë në terren deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të të gjitha vatrave, ndërsa dhjetëra forca mbeten të angazhuara për të parandaluar që zjarri të përhapet në sipërfaqe të tjera të masivit pyjor.

Një zonë jo e vogël e Gjinarit prej disa ditësh është kthyer në një tjetër betejë me flakët në malet e Elbasanit, ndërsa çdo orë mbetet vendimtare për të shpëtuar pjesën tjetër të masivit pyjor , nga më të bukurit e zonës së Shpatit.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×