
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e lidhur me një incident të rëndë të ndodhur mesditën e së dielës në një pallat në zonën në fund të ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë.
Sipas denoncimit të një prej banoreve, rreth orës 13:30 ka ndodhur një shpërthim në kabinën elektrike të pallatit, pas një ndërhyrjeje që, sipas saj, është kryer nga persona të paautorizuar ose jo kompetentë për të ndërhyrë në këtë ambient. Banorja pretendon se incidenti ka shkaktuar përhapjen e flakëve dhe tymit në të gjithë pallatin, duke krijuar panik te banorët, mes tyre edhe fëmijë.
“Momentet e tmerrit kanë qenë prezente duke qenë se në pallat ka pasur edhe fëmijë”, shprehet banorja. Po ashtu banorja thekson se ka pasur dëme të konsiderueshme në dy katet e para, si dhe në katin e 5, ndërsa nuk dihen realisht dëmet që mund të jenë shkaktuar në sistemin elektrike për çdo apartament, pas shpërthimit.
Ajo pretendon gjithashtu se shërbimi zjarrfikës ka mbërritur rreth 25 minuta pas njoftimit dhe se, sipas saj, evakuimi i banorëve është vështirësuar për shkak të mungesës së shkallëve.
Banorja ngre shqetësime edhe për situatën e objektit, duke deklaruar se pallati, i ndërtuar nga firma “Alesio”, është i banuar prej rreth 2 vitesh e gjysmë, ndërsa sipas saj ende nuk ka përfunduar procesi i kolaudimit dhe hipotekimit. Ajo thotë se kompania ua ka atribuar vonesat procedurave në Bashkinë e Tiranës, pretendim që banorja thotë se nuk e beson.
Pas incidentit, sipas denoncimit, kompania ka marrë përsipër rikonstruksionin e dëmeve pasi të marrë raportin e OSHEE-së, ndërsa deri më tani rezulton se asnjë punonjës i Operatorit të Shërbimit të Energjisë Elektrike nuk është paraqitur në pallat.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhet me kamerat e sigurisë së pallatit. Sipas denoncimit, policia ende nuk ka sekuestruar pamjet e kamerave të vendosura nga vetë banorët në objekt. Banorja shprehet se kjo situatë krijon dyshime te banorët dhe kërkon që ngjarja të hetohet në mënyrë të plotë. Pas shërbimit të kabinës elektrike, në pallat prej ditës së djeshme mungon energjia dhe uji i pijshëm, duke bërë që banorët të braktisin banesat e tyre. Sipas denoncimit, dëmet janë të dukshme edhe brenda banesave, ku ka mbetje tymi dhe mure të nxira.
and then