
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Shkolla të pastra”, duke goditur një rast të dyshuar të tentativës për shitjen e lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dy 17-vjeçarë pranë një shkolle në lagjen “Pavarësia”, të cilët dyshohet se do të shisnin doza narkotike.
Njëri prej të miturve, banues në Orikum, u arrestua, ndërsa bashkëmoshatari i tij, banues në Dukat, u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik ndaj dy të rinjve, policia gjeti dhjetëra doza të dyshuara kokaine dhe Cannabis Sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike, automjeti që drejtohej pa leje drejtimi nga 17-vjeçari i arrestuar, si dhe tre telefona celularë.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua pas administrimit të informacionit në rrugë operative për dy persona që dyshohej se do të shisnin lëndë narkotike pranë shkollave të qytetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
and then