Ndez “ethet” e skive në Shqipëri, Lara: Jam e dashuruar me këtë vend

Lara Kolturi, skiatorja italiane që garon për Shqipërinë, po tërheq vëmendjen jo vetëm për rezultatet në pistë, por edhe për ndikimin që po ushtron në zhvillimin e sportit të skive në vendin tonë. Kolturi zgjodhi që në fillimet e karrierës të ndiqte një rrugë të pavarur, duke u përgatitur me ekipin e saj privat.

Pasi mori shtetësinë shqiptare, në maj të vitit 2022 vendosi të përfaqësonte Shqipërinë, në vend të Italisë. Ky vendim i dha mundësinë të zhvillohej jashtë strukturave të Federatës Italiane të Skive dhe të ndiqte një program të përshtatur sipas nevojave të saj.

Rezultatet e kanë justifikuar këtë zgjedhje. Falë paraqitjeve të saj, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e njohur në Kupën e Botës në skitë alpine. “Mbështetja që marr është e jashtëzakonshme”, tha 19-vjeçarja, e cila nuk i fshehu emocionet për vendin që përfaqëson.

“Kam qenë edhe me pushime në Shqipëri dhe jam dashuruar me këtë vend”, u shpreh Lara Colturi për “blue Sport” pas vendit të dytë që shënoi të shtunën në sllallomin gjigant në Solden. Por ajo që e bën veçanërisht krenare është ndikimi që rezultatet e saj po kanë në rritjen e interesit për skitë në Shqipëri.

“Është njësoj si në rastin e Lucas Braathen dhe Brazilit. Vende që më parë nuk ishin pjesë e hartës së skive, tani po bëhen protagonistë. Më bën jashtëzakonisht krenare fakti që Shqipëria po merr më shumë vëmendje falë meje”, deklaroi Kolturi. Sipas saj, interesi për këtë sport është rritur ndjeshëm edhe në mesin e shqiptarëve, ndonëse skitë alpine nuk janë pjesë e traditës sportive të vendit.

“Njerëzit i ndjekin garat e skive në televizor, edhe pse ky sport nuk është pjesë e kulturës së tyre. Ata i shohin garat dhe më pas dëshirojnë të vijnë këtu për të bërë ski dhe për të parë borën, të cilën ndoshta nuk e kanë parë kurrë më parë. Është e mrekullueshme të shohësh se si po rritet ky sport”, përfundoi skiatorja që po e vendos Shqipërinë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e skive botërore. Tifozët shqiptarë do të kenë mundësi ta ndjekin sërish nga afër Kolturin në muajin dhjetor, kur në St. Moritz të Zvicrës janë programuar një garë e sllallomit gjigant dhe dy gara të super-G.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×