
Emisioni investigativ “Tak Fak” ka udhëtuar këtë të mërkurë në fshatin Damës, në Njësinë Administrative Fratar, në Mallakastër, ku ka trajtuar denoncimin e Majlinda Durajt për një konflikt pronësie me bashkëfshatarin e saj, Sabri Tare.
Sipas denoncimit të saj, Tare i ka bllokuar rrugën që e lidh me tokën e saj bujqësore, ndërsa pretendon se i ka zaptuar edhe një pjesë të pronës, duke e mbjellë me ullinj. Të njëjtat pretendime, sipas saj, kanë edhe disa kushërinj të personit me të cilin është në konflikt.
Në një dëshmi për emisionin, Majlinda Duraj tregon se problemet kanë nisur prej dy vitesh, kur ka konstatuar se toka e saj ishte mbjellë me ullinj dhe rruga që përdorte prej kohësh ishte bllokuar.
“Këtu kam marrë parcelën që kur është ndarë toka, është toka ime. Rruga më çon te toka ime. Unë këtu kam kaluar që kur është ndarë toka dhe kur vij e gjej tokën të zaptuar të mbjellë me ullinj. Kam dy vite që sorollatem…Kjo është rrugë shtetërore, dhe ky del e zapton rrugën dhe thotë është e imja. Kjo është rruga e të gjithëve, ai u del përpara dhe u thotë mos kaloni aty se e kam bërë unë…Sa të jem unë gjallë nuk do kalosh na thotë…Unë të vras thotë…Na ka kërcënuar, sharë e ofenduar…ka bërë edhe zaptim toke te toka ime. Kam shkuar në komunë nuk gjej zgjidhje. Zyrtari thotë na lër rehat”, ka treguar ajo.
Më tej, Duraj pretendon se bëhet fjalë për një rrugë që përdoret nga të gjithë banorët e zonës, por bashkëfshatari i saj u ndalon kalimin.
Gruaja ngre gjithashtu akuza për kërcënime, fyerje dhe ofendime, duke pretenduar se bashkëfshatari i saj e ka kërcënuar edhe me vrasje.
Ajo kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e konfliktit, rikthimin e aksesit në pronën e saj dhe verifikimin e pretendimeve për zaptimin e tokës dhe bllokimin e rrugës.
and then