
Katër shtetas shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burgim në Francë, pasi u shpallën fajtorë për një seri vjedhjesh në banesa në rajonin e Haut-Rhin dhe në disa zona përreth.
Grupi, i përbërë nga katër persona rreth të 30-ave, dyshohet se kishte vepruar në mënyrë të organizuar, duke kryer vjedhje të përsëritura dhe duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët, të cilët përballeshin me banesa të bastisura dhe sende me vlerë të zhdukura.
Sipas gazetës franceze Remiremont Vallées, hetimi nisi pas një serie grabitjesh në disa komuna të rajonit. Autorët hynin në banesa duke thyer dritaret dhe grilat, ndërsa më pas kontrollonin të gjitha ambientet, duke marrë bizhuteri, ora, para të gatshme dhe pajisje elektronike. Në disa raste, pronarët i gjenin shtëpitë tërësisht të përmbysura pas largimit të autorëve. Përveç dëmit material, vjedhjet kishin lënë te viktimat edhe një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie, duke bërë që disa prej tyre të mos ndiheshin më të sigurt as brenda banesave të tyre.
Për identifikimin e autorëve, xhandarmëria franceze në Colmar zhvilloi një hetim disa-javor. Hetuesit mbikëqyrën lëvizjet e të dyshuarve, analizuan të dhënat telefonike, morën dëshmi dhe ndoqën një automjet tip Audi, që dyshohej se përdorej nga grupi. Pavarësisht se personat ndryshonin automjetet, numrat e telefonit dhe vendet ku qëndronin, autoritetet arritën të rindërtonin lëvizjet e tyre dhe t’i lidhin me 18 raste të dyshuara të veprimtarisë kriminale.
Operacioni për arrestimin e tyre u zhvillua më 6 nëntor 2026, në një objekt akomodimi në Mortagne, në rajonin e Vosges. Gjatë kontrollit, xhandarmëria gjeti rreth 20 mijë euro para të gatshme, një sasi të konsiderueshme bizhuterish dhe disa telefona celularë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Të katër shqiptarët dolën përpara Gjykatës së Colmarit, ku kundërshtuan në pjesën më të madhe akuzat dhe provat e paraqitura ndaj tyre. Megjithatë, gjykata mori në konsideratë përgjimet telefonike, vëzhgimet policore dhe dëshmitë e mbledhura gjatë hetimit. Gjatë procesit gjyqësor, disa prej viktimave treguan edhe për pasojat që vjedhjet kishin lënë në jetën e tyre të përditshme, duke theksuar se përtej sendeve të humbura, ishte cenuar edhe ndjenja e sigurisë në shtëpitë e tyre.
Në përfundim, gjykata vendosi t’i dënojë të katër me nga tre vite burgim secilin, me qëndrim të menjëhershëm në burg. Krahas dënimit me burg, ndaj tyre u vendos edhe ndalimi i përhershëm i hyrjes në territorin francez, masë që do të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
and then