Në fundin e merkatos së janarit Egnatia afroi një sulmues me CV të pasur si kongolezi Dzon Delarxh. 31-vjeçari vinte pas aktivizimit në skuadra të njohura të Superligës turke dhe asaj sllovake, por gjithashtu ka qenë pjesë edhe e Karabakut në Azerbajxhan.
Delarxh iu bashkua me vonesë skuadrës dhe në staf ishin të bindur se duhet të prisnin për të parë cilësinë e vërtetë të kongolezit. Duke qenë se sulmuesi tjetër i ekipit, Pedro, ka bërë një ecuri fantastike, por gjithashtu edhe Artur Magani e ka justifikuar sa herë është aktivizuar, trajneri Zekirija Ramadani ka besuar më shumë te lojtarët që janë më mirë fizikisht.
Por, pas dy muajsh stërvitjesh me ekipin, tashmë në momentin vendimtar të sezonit, te rrogozhinasit janë të lumtur që kanë gjetur një sulmues si Delarxh, i cili jep garanci në krah të Pedros.
Ndeshja e fundit me Kastriotin tregoi se lojtari ka kapur formën optimale, teksa fitoi një penallti dhe gjithashtu goditi shtyllën. Për momentin kongolezit i mungon vetëm goli, por tashmë që Ramadani po e aktivizon titullar, me siguri edhe rrjeta e parë do të vijë. Nesër rrogozhinasit kanë një ndeshje delikate ndaj Laçit.
– Arena e Lajmit
