Partizani, skuadra më e titulluar e basketbollit shqiptar, rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.
33 herë kampionët kanë humbur ndeshjen e parë “play out” kundër Besëlidhjes me rezultatin 58-65 (10-16, 11- 13, 20-17, 17-19).
Partizani bëri një lojë me shumë gabime, ndërsa skuadra lezhjane u treguan më e saktë, duke fituar me meritë raundin e parë të duelit të mbijetesës që u zhvillua dje në “Asllan Rusi”.
NDESHJA – Ndonëse në transfertë, Besëlidhja pati një numër më të madh tifozësh në sallë në pallatin e sportit, ndërsa ra në sy prezenca e dhjetëra afganëve, të cilët nuk reshtën për asnjë moment duke mbështetur ekipin lezhjan.
Pas minutave të para të ekuilibruara, Besëlidhja mori avantazhin për të mos e lëshuar më deri në fund të ndeshjes. Kështu miqtë e fituan periodën e parë 10-16.
Perioda e dytë vijoi me shumë gabime në radhët e Partizanit, që iu deshën rreth 5 minuta për të gjetur koshin e parë në këtë fraksion, të cilin e fitojnë lezhjanët 11-13, për të shkuar në pushim me avantazhin 21-29.
Edhe çereku i tretë i sfidës nis më mirë për miqtë, të cilët madje e thellojnë avantazhin deri në +14 pikë. Por në minutat e fundit Partizani kërkon reagimin dhe afrohet në 41-46 pas 3 periodash.
Kryeqytetasit ngushtojnë deri në 3 pikë në startin e periodës së fundit, por më pas Besëlidhja rikthen qetësinë për ta fituar sfidën me 7 pikë avantazh. Prowell Jr me 24 pikë, si dhe Alban Çela me 17 pikë ishin më të mirët në radhët e Besëlidhjes.
Ndërsa për Partizanin nuk mjaftoi Mired Jani, me kapitenin që realizoi 22 pikë. Takimi i dytë “play out” do të luhet më datë 7 maj në sallën “Farie Hoti”.
ARTIN LLESHAJ – Arena e Lajmit
