Juventusi i sezonit të ardhs hëm do të jetë një “sudok” i vështirë, sidomos për sa i përket repartit të sulmit. Klubi bardhezi përgatitet që të përshëndesë Paulo Dibalën me parametër zero menjëherë pas javës së fundit të Serisë A, ndërkohë që edhe për Alvaro Moratën situata nuk është aspak e qartë.
Kjo si rrjedhojë e faktit se Atletiko e Madridit kërkon ta shesë, por nga ana tjetër strategjia e “Zonjës së Vjetër” për të ulur koston e 35 milionë eurove të kartonit nuk po rezulton bindëse deri tani. Natyrisht që në Torino nuk do të dorëzohen aq lehtë për spanjollin, duke parë edhe rendimentin që ai po jep në rolin e tij të ri “alla Manxukiç” dhe ambientimin e bashkëpunimin fantastik me Dushan Vlahoviçin.
Por ndërsa serbi 22- vjeçar është garancia e vetme për sezonin e ardhshëm, së bashku me Federiko Kiezën, edhe pse nuk dihet ende nëse italiani do të jetë në formë optimale në gusht, kur nis edhe sezoni i ardhshëm, disa emra për të përforcuar repartin kanë nisur që të dalin.
Madje, ato janë ndër më të rëndësishmit në qarkullim si Nikolo Zaniolo i Romës për shembull, apo edhe veterani Angel di Maria, për të përforcuar mbi të gjitha krahët e repartit me tre sulmues, ndonëse edhe një tjetër numër “9” si zëvendës-Vlahoviç do të nevojitet pa dyshim, duke qenë se serbi nuk mund t’i luajë të gjitha sfidat sezonale, pa menduar edhe për ndonjë dëmtim.
VRIONI ËSHTË GATI
Prandaj lind pyetja, cili mund të jetë një tjetër sulmues, pse jo edhe ndonjë mesfushor me intuitën e golit për të sjellë më shumë efikasitet në Torino? Ndoshta te Juventusi nuk kanë nevojë që të shkojnë shumë larg, madje nuk kanë nevojë që të nxjerrin as edhe një euro nga xhepi, duke qenë se nëse sheh listën e të huazuarve që kanë mes Italisë dhe Europës, golat nuk mungojnë. Madje, statistikat thonë se “Zonja e Vjetër” ka 107 gola në “xhiro”, por nëse ndalemi vetëm te bomberat, ai që ndoshta meriton një shans për të treguar veten edhe në Torino është shqiptari Xhakomo Vrioni.
23-vjeçari kujtojmë që në dy sezonet e kaluara pati besimin e Mauricio Sarrit, por akoma më shumë të Andrea Pirlos duke grumbulluar disa minuta me skuadrën e parë. Por mbase sivjet, është radha e Masimiliano Alegrit që të nisë të vlerësojë më seriozisht bomberin kuqezi. Dhe kur themi bomber nuk e ekzagjerojmë aspak, duke qenë se Vrioni me 17 golat e tij (15 në kampionat dhe 2 në Kupë), në radhët e skuadrës së Tirolit, në Bundesligën austriake, po bën vërtet magjira.
Madje, vetëm në dy ndeshjet e fundit në kampionat, kundër LASKut (më 26 prill) në shtëpi dhe ndaj Riedit (16 prill) në transfertë ai ka shënuar respektivisht një tripletë dhe një dopietë. Ndërkohë interesim për sulmuesin ka patur nga dy klube të njohura si Anderleht dhe AZ Alkmar, që janë të gatshëm të ofrojnë deri në 4 milionë euro. Mes listës së gjatë të të huazuarve bardhezi, ai që ka shënuar më shumë sesa Xhakomo Vrioni është Mateo Brunori, por 25 golat e tij në Serinë C italiane nuk mund të krahasohen aspak me ato të bomberit tonë kuqezi, duke parë edhe vështirësinë e elitës austriake me kategorinë e tretë italiane.
Prandaj, drejtori sportiv Kerubini, por edhe trajneri Alegri, më mirë të punojnë për të arritur sa më shpejt te “krahët” Zaniolos e Di Marias, pasi zëvendësin e Dushan Vlahoviçit, për më tepër mëngjarash si serbi, e kanë gati dhe pa para.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit
