Më shumë driblime dhe gola, Leao “termometri” i Milanit/ Trefishoi vlerën, klubi i trefishoi pagën

Pak ditë më parë deklaronte: “Flasim në fund”. Nuk ishte mendjemadhësi nga ana e Rafael Leaos, por një premtim i asaj që 22 maji (data e javës së fundit të Serisë A) mund të përfaqësojë për Milanin. Rënia e Interit në Bolonjë mundëson 360 minuta kohë për të menaxhuar 2 pikë avantazh.

LEAO

Në momente si ky kupton diferencën që bëjnë rezultate e cenuara nga arbitrat me humbjet me Specian, Napolin apo barazimi me Udinezen dhe Torinon. Milani shpreson që të jetë Leao arma e këtyre ndeshjeve të mbetura, ndërkohë që portugezi dëshiron të bëjë diferencën në aktet e fundit të këtij kampionati sfilitës.

TERMOMETËR – Është përmirësuar ndjeshëm, por portugezi nuk ka arritur ende vazhdimësinë që pritet prej një lojtari me të tillë potencial. Edhe shënjestra është ajo që është, megjithatë nëse shkundet “Rafa”, përfiton e gjithë skuadra. Sulmuesit mund të shënojnë më tepër me asistet e tij (si Zhiru kundër Lacios), por edhe Hernandez bëhet më i rrezikshëm kur portugezi ndez “turbon”. Edhe portieri shndërrohet në asistues kur numri 17 nis sprintin, ndaj Leao mund të konsiderohet me plot gojën “termometri” i Milanit. Statistikat i japin të drejtë djaloshit portugez.

 

Në sezonin e parë kuqezi godiste 34 herë portën, ndërkohë sivjet e ka siluruar 64 herë kur ka edhe 4 ndeshje në dispozicion. Krosimet gjithashtu shënojnë rritje. 57 sivjet, teksa sezonin e kaluar mezi ishin 32. “Lënda” në të cilën Leao shkëlqen janë driblimet. 91 të suksesshme e bëjnë më të mirin në Itali, ndërkohë që në Europë parakalohet vetëm nga Mbape i PSGsë dhe Traore i Barcelonës.

VLERA – Statistikat e Leaos janë në rritje dhe Pioli ka përfituar. I ka dhënë besim, por ka marrë shumë më tepër në këmbim. Edhe klubi buzëqesh. Për portugezin janë shpenzuar 24 milionë euro për ta marrë nga Lila, ndërkohë që tashmë vlera e tij është thuajse 3- fishuar. PSG-ja ishte gati të nënshkruante një çek prej 75-80 milionë eurosh derisa doli lajmi i “Investcorp”-it dhe 23-vjeçari duket i destinuar të mbetet kuqezi.

Kontrata i skadon pas dy vjetësh, por rinovimi është në horizont. Trefishim shifrash edhe në këtë aspekt, me sulmuesin që nga 1.5 milionë eurot aktuale do të arrijë të përfitojë 4.5 milionë në sezon duke nisur që nga 2022-’23-shi. Por më parë, duhen larë hesapet me kampionatin aktual.

Leao është golashënuesi më i mirë i ekipit me 12 realizime në të gjitha kompeticionet, teksa në Serinë A ka shënuar 9 herë. Shifra më e lartë në karrierë për një sezon, megjithatë synimi i tij është të arrijë në dopioshifër. Milani ka nevojë që Leao të ndikojë siç di, me driblime, pasime e mundësisht ndonjë gol. Shënjestra duhet përmirësuar, megjithatë nëse do të rritet me shokët, duhet që djaloshi me numër 17 të tregohet edhe më i shpejtë. Jo vetëm në fushë…

Arena e Lajmit

Më shumë driblime dhe gola, Leao “termometri” i Milanit/ Trefishoi vlerën, klubi i trefishoi pagën

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook