15 pikë nga pjesët e para, Interi me ritëm titulli pas Juventusit

Ndërsa po afron fundi i sezonit, pas çdo jave shtohet bindja se kthesa e Interit ka ardhur në atë fitore ndaj Juventusit në “Allianz Stadium”.

Interi festa

Një fitore me epërsi minimale, por që efektin e ka pasur maksimal. Suksesi i zikaltërve ndaj bardhezinjve ka hapur një seri prej 7 ndeshjesh në të cilat kanë fituar 6 dhe kanë humbur vetëm atë me Bolonjën, ku në sy bie fakti që avantazhi i 45 minutave të para ka shkuar paralelisht me rezultatin përfundimtar, duke përjashtuar sërish sfidën ndaj skuadrës së Mihajloviçit, që ishte e vetmja që i përmbysi zikaltrit.

PJESËT E PARA – Nëse ndalemi të analizojmë të gjitha ndeshjet e muajit prill, deri tek ajo e datës 1 maj me Udinezen, mund të gjejmë edhe një tjetër të përbashkët. Me përjashtim të Juves, kur rrjeta e Çalhanoglusë nga pika e bardhë erdhi në minutën e fundit të fraksionit të parë, golat e tjerë të zikaltërve kanë ardhur në 30 minutat e para duke pasqyruar të gjithë grintën dhe dëshirën për fitore me të cilën Interi hyn në fushë, ashtu si rezistencën që tregon në vazhdim.

Pas Juves, Interi gjeti Veronën ndaj së cilës golat e Barelës e Xhekos që vulosën fitoren erdhën në minutën e 22-të dhe atë të 30- të dhe një javë më vonë ndaj Specias korri një tjetër sukses, pasi kishte shënuar golin e parë në minutën e 30-të me Brozoviçin, që i hapi rrugë thellimit të rezultatit nga të tijtë në pjesën e dytë. Në këto statistika mund të llogarisim edhe derbin me Milanin në Kupën e Italisë, aty ku goli i shpejtë i Lautaros në të 4’ u pasua nga një tjetër gol i argjentinasit në minutat e fundit të pjesës së parë, për të firmosur tripletën zikaltër në të dytën.

E përveç dy transfertave të fundit, që patën përfundime të ndryshme ku Interi shënon në pjesë të parë, por humbet në të dytën ndaj Bolonjës dhe ndaj Udinezes e siguron fitoren që në të parën, edhe Inter-Roma kishte fatin e të tjerave. Fitorja 3-1 ndaj verdhekuqve erdhi falë dy golave të shpejtë të zikaltërve në fraksionin e parë që e bënë të pavlefshëm baraspeshimin që Mkhitarian mund t’i bënte golit zikaltër në pjesën e dytë.

REZULTATET E INTERIT

Kështu, nëse bëjmë një rezyme të muajit zikaltër në kampionat, duke lënë mënjanë atë të Kupës, shpresat e Interit për titull u detyrohen patjetër pjesëve të para me ritëm e konkretizime që në fund i kanë dhënë skuadrës së Inzagit 15 pikë, më shumë se cilado skuadër tjetër në Itali.

Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit


15 pikë nga pjesët e para, Interi me ritëm titulli pas Juventusit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook