Shqipëri-Moldavi, nënshkruhet marrëveshja në fushën e arkivave/ Ja çfarë synohet

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Arkivave të Moldavisë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe homologu i tij moldav, Igor Casu, sigurojnë shkëmbimin e dokumenteve, të dijeve dhe të përvojave mes dy arkivave.

Në një deklaratë për mediat, Bido u shpreh se përmes këtij akti synohet zhvillimi i arkivave bashkëpunëtore dhe të të gjithë rajonit.

“Është kënaqësi të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi me Arkivat e Republikës së Moldavisë, të cilat edhe pse nuk janë kufitare të drejtpërdrejta me Republikën e Shqipërisë, ndajnë një pjesë të historisë sonë kombëtare. Në arkivat moldave gjenden historitë e emigrantëve shqiptarë dhe të diasporës shqiptare të hershme, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare.

Por, edhe më tej se kaq. Moldavia moderne është themeluar nga princër shqiptarë, dokumentet e të cilëve gjenden në arkivat moldave, por që tashmë do jenë në edhe në arkivat shqiptare. Kemi mundësinë të nënshkruajmë një marrëveshje që do të mundësojë shkëmbimin e jo vetëm gjithë këtyre dokumenteve, por edhe të burimeve njerëzore, të njohurive, të ideve, në mënyrë që të çojmë përpara arkivat tona, sikurse edhe arkivat e gjithë rajonit”, tha Bido.

Dpa
Dpa

Ndërkaq, Casu e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një mundësi shumë të mirë për shkëmbimin e dokumenteve. “Jam shumë i lumtur që gjendem në arkivin shqiptar. Jam besimplotë se do të kemi një bashkëpunim të mirë në shkëmbimin e dokumenteve. Ne kemi identifikuar një sërë dokumentesh me interes për Shqipërinë. Shpresoj që vitin tjetër do kemi mundësinë të shfaqim një ekspozitë, që do të reflektojë marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Moldavisë”, u shpreh Casu.

Marrëveshja dypalëshe motivohet nga aspirata për bashkëveprim mes dy institucioneve arkivore simotra. Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.

Në bazë të parimit të reciprocitetit, DPA-ja dhe simotra moldave ndërmarrin shkëmbimin e specialistëve, në funksion të kryerjes së kërkimit të përbashkët dhe studimit të materialeve arkivore pa pagesë. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri 5-vjeçare dhe mund të qendrojë në fuqi edhe përtej këtij afati, në mungesë të vullnetit të palëve për t’i dhënë fund.

Në kuadrin e 75-vjetorit të themelimit të DPA-së, u mbajt një kalendar i ngjeshur aktivitetesh. DPA-ja nënshkroi dy marrëveshje të tjera bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës dhe me Arkivin e Bosnjes dhe Hercegovinës, duke siguruar përkatësisht shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e diasporës shqiptare në Ukrainë dhe informacione mbi komunitetin e bashkëkombasve tanë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Po ashtu, u mbajt një tryezë e rrumbullakët, ku përfaqësuesit e arkivave në rajon e më gjerë, diskutuan mbi nevojën e thellimit të bashkëpunimit për përballimim e sfidave të së ardhmes. Ndërkaq, të dielën u organizua Konferenca e VIII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që sikur çdo vit do të kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, të vetmes në llojin e saj në trevat shqiptare.

Arena e Lajmit

Shqipëri-Moldavi, nënshkruhet marrëveshja në fushën e arkivave/ Ja çfarë synohet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook