
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Klodian Braho, ka deklaruar se hetimi ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbetet një nga çështjet më prioritare të institucionit.
Gjatë një takimi informal me gazetarët, Braho konfirmoi se hetimet vijojnë me intensitet dhe se kontrollet e zhvilluara këtë të enjte janë pjesë e veprimeve hetimore në kuadër të kësaj dosjeje.
“Është çështje në hetim. Është ndër çështjet më prioritare. Janë 9 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe 2 prokurorë që po merren me këtë çështje. Kontrollet e sotme janë vijim i hetimeve. Kur të përfundojnë hetimet do të dalim me hetim më të plotë”, u shpreh Braho.
I pyetur nëse SPAK do t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë të re në lidhje me imunitetin e Ballukut, drejtuesi i institucionit nuk dha një përgjigje përfundimtare, por theksoi se hetimet kanë avancuar pas vendimit të mëparshëm të Parlamentit.
“Hetimet, edhe pas atij vendimi, kanë vazhduar me intensitet. Kanë ecur më tej. Nuk mund të them nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re. Vendimi do të kushtëzohet nga rrethanat e hetimit dhe rezultatet që do të kemi. Parlamenti ka marrë një vendim për një kërkesë që ne kemi bërë dhe nuk mund të shkojmë sërish me të njëjtat prova”, deklaroi ai.
and then