
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, duke lënë të plagosur shtatë persona. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe policia, të cilat bënë të mundur lokalizimin e vatrës së zjarrit.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka nisur fillimisht në ambientet e lokalit në katin e parë të godinës dhe më pas është përhapur me shpejtësi në katin e dytë ku ndodhej hoteli.
Për t’i shpëtuar rrethimit nga flakët dhe tymi i dendur, disa nga personat që ndodheshin në hotel janë detyruar të hidhen nga dritaret e godinës.
Të gjithë të dëmtuarit u dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore. Gjashtë prej personave të dëmtuar janë shtetas nga Kosova, ndërsa një prej tyre është shtetas nga Rrësheni.
Dy prej të plagosurve janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa katër persona të tjerë i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.
Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse për izolimin e plotë të flakëve, policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.
and then