
Denis Matoshi, (Dizdari) i njohur me pseudonimet “Alduth” dhe “Shqiptari i Gjatë”, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës dhe ndodhet tashmë në një burg belg. Lajmi është konfirmuar nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila tha se operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Matoshi, 37 vjeç, konsiderohet një nga drejtuesit e organizatës kriminale shqiptare “Kompania Bello” dhe është dënuar këtë vit nga drejtësia belge me 10 vite burg dhe një gjobë prej 80 mijë eurosh, në kuadër të dosjes së madhe të trafikut të drogës “Yaramis”. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e të ardhurave kriminale në vlerën 7.5 milionë euro, që iu atribuan atij. Prej vitesh Matoshi jetonte në Dubai, por ishte arrestuar atje rreth dy vite më parë me kërkesë të autoriteteve belge. Prokuroria e Antwerp kishte kërkuar ekstradimin e tij, në mënyrë që ai të mund të marrë pjesë personalisht në proceset gjyqësore që lidhen me aktivitetin e tij kriminal.
Sipas dosjes së prokurorisë, pas humbjes së pozicionit në portin e Antwerp nga klani Yaramis, për shkak të konflikteve të brendshme dhe hetimeve gjyqësore, Matoshi bashkëpunoi me Omar Govers dhe Najim EM. Autoritetet dyshojnë se grupi organizonte tërheqjen e ngarkesave të kokainës nga kalatat 1700 dhe 1742 të portit të Antwerp. Në një tjetër dosje ku është përfshirë Omar Govers, komunikimet e zbërthyera nga rrjeti Sky ECC thuhet se kanë zbuluar se bashkëpunëtorët e tij kryen edhe dy transporte parash për Matoshin gjatë viteve 2020 dhe 2021. Shuma totale e këtyre transfertave arrinte në 1.75 milionë euro. Pjesa e çështjes që lidhet me Matoshin është ndarë dhe do të shqyrtohet në një fazë të mëvonshme.
Matoshi u nis të mërkurën nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa orë më vonë mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek në Belgjikë. Menjëherë pas mbërritjes, ai u transferua në një burg belg. Ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e bëri publike ekstradimin përmes rrjeteve sociale, duke deklaruar se bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe tregon se “nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”. Kabineti i ministres nuk ka dhënë detaje të tjera për rastin individual të Matoshit.
and then