
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor Çlirim Torra. Zyrtari, i cili ushtronte detyrën si Specialist i Policisë në Terren pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, pjesë e Komisariatit të Librazhdit në DVP Elbasan, akuzohet për përfshirje në veprime korruptive.
Sipas veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e AMP-së, inspektori i policisë dyshohet se ka marrë një vlerë monetare nga shtetasi me inicialet A.R., ndaj të cilit gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Kundrejt përfitimit të paligjshëm financiar, punonjësi i rendit ka favorizuar të dëmtuarin duke i mundësuar shkeljen e masës shtrënguese dhe largimin e paautorizuar nga banesa ku duhet të vuante arrestin.
Në përfundim të procedurave të para hetimore, ndaj Inspektor Çlirim Torrës janë ngritur dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Veprimet procedurale po vijojnë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e mundshme të personave të tjerë të përfshirë. Në reagimin zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nëvizoi se do të vijojë me zero tolerancë ndaj çdo akti korrupsioni dhe shkeljeje ligjore që cenon integritetin e strukturave ligjzbatuese.
and then