
Ballkani ka shënuar fitore bindëse ndaj Drenicës, duke triumfuar me rezultat 4:0 në ndeshjen hapëse të javës së 12-të të Albi Mall Superligës, e zhvilluar të premten në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Protagonist i kësaj fitoreje ishte sulmuesi Albin Berisha, i cili realizoi dy gola, ndërsa nga një gol e shënuan mesfushori Giovanni Ribeiro dhe mbrojtësi Diar Vokrri.
Berisha e zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të, për të shënuar sërish vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Në minutën e 64-t braziliani Giovanni Ribeiro e ngriti epërsinë në 3:0, ndërsa katër minuta më vonë Diar Vokrri vulosi rezultatin përfundimtar, 4:0.
Për Ballkanin kjo është fitorja e dytë radhazi, pas triumfit në tavolinë ndaj Vushtrrisë, e cila nuk u paraqit në fushë.
Në anën tjetër, Drenica vazhdon serinë negative dhe mbetet pa fitore që nga 20 shtatori. As ndryshimi në stolin e trajnerit, me ardhjen e Gentjan Mezanit në vend të Jeton Mehmetit, nuk ka sjellë ende rezultatet e pritura.
Me këtë fitore, Ballkani arrin në kuotën e 19 pikëve pas 12 ndeshjeve, ndërsa Drenica mbetet në vendin e tetë me 11 pikë.
and then