
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka mbajtur fjalën e saj ditën e sotme gjatë takimit të së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Tabaku u shpreh se korrupsioni me fondet publike, por që kalon dhe në fondet e BE-së për është jashtëzakonisht shqetësues, ndërsa shtoi se ky rast duhet të ishte një kambanë alarmi pasi ka ndodhur si rezultat i ndërhyrjeve korruptive.
Sipas saj skemat piramidale me fondet e BE-së ose me fondet publike janë duke vendosur barrë shumë të rëndë në buxhetin e shtetit që llogaritet 8 miliardë euro, për një vend që ka buxhet pothuajse sa gjysma e kësaj.
Fjala e plotë e Tabakut në takimin e MSA
Situata e korrupsionit në Shqipëri mbetet një sfidë kryesore në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Raporti i Transparency International ka ngritur shqetësimin që sot kemi shtet të kapur dhe ky ishte pikërisht konkluzioni që hetimet e fundit të njësisë së posaçme anti korrupsion kanë vërtetuar se niveli i kapjes së shtetit në bërjen e ligjieve, në vendimet e Këshillit Bashkiak, por dhe në të gjitha shkresat dhe komunikimet mes zyrtarëve ka arritur në një situatë alarmante.
Dhomat kryesore të tregtisë dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit kanë ngritur shqetësimin e përhapjes së korrupsionit në çdo qelizë të administratës publike në nivel lokal dhe qendror. Kjo është tema kryesore që ne duhet të diskutojmë.
Këto të dhëna përforcohen dhe nga Barometri për Ballkanin i cili sot ka publikuar që 60% e shqiptarëve besojnë se situata ekonomike është përkeqësuar dhe që niveli i korrupsionit është rritur. Kjo e dhënë shqetësuese, përforcuar nga fakti që 41% e shqiptarëve besojnë që duan të largohen nga vendi është një nga problemet kryesore që ka sot Shqipëria.
Mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është 26%, në Shqipëri është 41%. Ne sot kemi një problem real të korrupsionit dhe çfarëdo informacioni që paraqisni, nuk ka asnjë vlerë, sepse këto janë shifrat dhe faktet.
Sot kemi disa arrestime të nivelit të lartë të cilat opozita i ka mbështetur dhe ka kërkuar që të mos ketë presion politik mbi organet e reja të drejtësisë. Ne kemi kërkuar që sot përpara drejtësisë të shkoj kushdo që ka abuzuar me detyrën.
Sot dita nisi shqetësuese ku ne u informuam nga zyra e Delegacionit të BE-së se Shqipëria pas një hetimi të gjatë të zyrës së OLAF-it për auditimin e fondeve të BE-së, është zbuluar një skemë korruptive me fondet e BE-së dhe si rezultat, fondet IPARD për bujqësinë për Shqipërinë do të pezullohen.
Korrupsioni me fondet publike, por që kalon dhe në fondet e BE-së për mua është jashtëzakonisht shqetësuese.
Skema piramidale e ngritur me fondet e IPARD, e hetuar nga institucionet e BE-së, duhet të ishte një këmbanë alarmi pasi ka ndodhur si rezultat i ndërhyrjeve korruptive dhe të bëhej tema kryesore për diskutim.
Skemat piramidale me fondet e BE-së ose me fondet publike janë duke vendosur barrë shumë të rëndë në buxhetin e shtetit; llogaritet 8 mld Euro, për një vend që ka buxhet pothuajse sa gjysma e kësaj.
Në 8 vite, kosto e korrupsionit ka qënë sa buxheti i dy viteve. Këto të dhëna shqetësuese, shoqëruar me raportin e Komisionit Europian, e bëjnë luftën ndaj korrupsionit sfidën e sfidave.
Raporti i fundit i Agjencisë së Auditimit të fondeve të BE-së , arriti të identifikojë se 1/3 e tenderave sot janë pa garë. Nuk ka garë, nuk ka konkurrencë dhe duhet të jetë në vullnetin e gjithë antarëve të këtij Komisioni dhe të parlamentit duhet të marrin masa reale dhe drastike për t’i ndryshuar gjërat!
Ashtu siç presidentja e Komisionit Europian është shprehur: “Korrupsioni ushqehet me sundimin e ligjit njësoj si parazitët. Ai minon besimin, gërryen demokracinë, pengon zhvillimin e qëndrueshëm dhe ne duhet të jemi të bashkuar në betejën tonë kundër korrupsionit dhe të sigurojmë që parimet e transparencës, llogaridhënies dhe drejtësisë do të sundojnë.”
Është e kotë që ne të flasim për planet e rritjes dhe paketën e Komisionit Europian, kur Shqipëria sot i ka të pezulluara fondet vetëm si rezultat i korrupsionit.
3 iniciativa në gjykimin e opozitës që janë korruptive:
Legalizimi i kanabizimit, amnistia fiskale dhe pasaportat e arta po pengojnë rrugëtimin në BE.
Shqipëria është duke u futur në një rrjet të re ngjarjesh politike dhe ekonomike, por dhe ato që lidhen me drejtësinë dhe unë besoj që nuk e kemi luksin, mundësinë që të llogarisim herë pas here sesi korruptohen zyrtarët e shtetit, sesi shpërdorohen fondet publike, por duhet ta bëjme ne së pari prioritet dhe në rend kryesorë të diskutimeve politike në Shqipëri.
and then