Adriatik Lapaj nga Lëvizja Shqipëria Bëhet, i ftuar në studion e “Open” ka komentuar mundësitë e partive të reja kundër dy partive të mëdha në zgjedhje.
Lapaj u shpreh se ka ardhur koha që republika me pensione dhe paga të ulëta “të shembet”, ndërsa theksoi se qytetarët janë përballë një zgjedhjeje të madhe.
Ai u shpreh se ekipi që qëndron pas tij ka të gjitha mundësitë që në zgjedhjet e ardhshme të bëjë një rezultat spektakolar.
“Në republikën që ka rrogat më të ulëta në Evropë, në republikën që nuk nxjerr dot numrin e popullsisë nga censusi. Aty ku janë pensionet nga 10 mijë lekë të reja, në republikën që importon kashtë e qumësht. Kësaj republike i ka ardhur koha të shembet. Qytetarët janë përballë një zgjedhjeje të madhe, ka pasur përpjekje edhe më parë, janë gërricje që i janë bërë sistemit, por nuk e kanë arritur sepse, fidani nëse është shumë i mirë por e mbjell në shkretëtirë nuk zë. Më në fund perdja është ngritur. Teatri i madh nuk ekziston më.
Tashmë njerëzit e dinë se këta janë bashkë. Është fakt. Njerëzit e dinë se ata që përfaqësuan opozitën këto 11 vite nuk e bëjnë dot sepse janë bashkë. Qytetarët e kanë përgjegjësinë te vetja. Unë mendoj se ekipi im i ka të gjitha mundësitë të bëjë një rezultat spektakolar në këto zgjedhje. Kemi një ekip profesionistësh që nuk kanë gjurmë korrupsioni në karrierat e tyre”, u shpreh ai.